Nënkryetarja e re e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, deklaroi në rubrikën “Opinion”, në News 24, se brenda këtij mandati qeverisës Bashkia e Tiranës do të ndërtojë edhe 17 shkolla të reja, duke i dhënë fund mësimit me dy orare, paradite dhe pasdite. Sipas Rusetit, shkolla e parë që ka nisur të ndërtohet është ajo e quajtur “Nënë Tereza”, që ndodhet në zonën e Laprakës.


“Shumë shpejt do të fillojmë ndërtimin e 17 shkollave të reja. Ka filluar shkolla e parë, që mban emrin e Nënë Terezës. Brenda këtij mandati do ndërtojmë këto shkolla për të eliminuar mësimin me dy orare. Projekti për shkollën “Nënë Tereza” pritet të mbyllet sa më shpejt, ndodhet në zonën e Laprakës”, tha Ruseti.

Më tej, nënkryetarja e bashkisë tha se Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar sot shkollën “At Zef Pllumi”, pasi ky i fundit i ka kushtuar jetën dijes.


“Bashkia e Tiranë është kujdesur këtë verë për rikonstruksionin e shkollave. At Zef Pllumi i ka kushtuar jetën dijes. U kujdesëm të kujtonim disa nga veprat e tij. Vepra e tij shërben si një mësim për të gjithë ne”, u shpreh ajo.


Do jetë gati këtë vit kjo shkollë?
Të gjitha shkollat që janë duke u rikonstruktuara, duhet të jenë gati një javë para fillimit të shkollës, në mënyrë që fëmijët të kenë gjithçka gati.

Janë marra të gjitha masat për ditën e parë të shkollës?
Do inaugurojmë një ndër shkollat më të bukura të kryeqytetit “Servete Maça”. Kemi pasur disa shkolla, që kanë qenë krenaria e mandatit 4-vjeçar. Kemi dhe nxënës me rezultate të jashtëzakonshme. “Mihal Grameno” do të jetë e hapur, “Konferenca e Pezës”, etj.

Prindërit duan më të mirën për fëmijët, ndaj i çojnë te shkollat më të mira, më të reja e të rikonstruktuara. Ne nuk e evitojmë dot këtë, por ajo që përpiqemi të themi se infrastruktura po tentohet të jetë e njëjtë kudo. Shkolla “Kosova” ka të njëjtën cilësi si shkollat e tjera në Tiranë, mësueset janë të gjitha njësoj. I inkurajojmë të gjithë prindërit t’i regjistrojnë fëmijët në shkollën më të afërt me banesën e tyre, në mënyrë që të evitojnë kohë në trafik.

I gjithë transporti është brenda standardit. Nëse një furgon nuk plotëson standardin, gjobitet ose i hiqet licenca. Nuk mund të gjeni një furgon brenda Tiranës që të mos plotësojë standardet për transportin e fëmijëve.

Detyra e re…?
Ishte vlerësim shumë i madh nga kryetari i bashkisë dhe këshillit bashkiak. Jam ndjerë shumë e vlerësuar. Në thelb unë do vazhdoj të jem njeriu që do merret me çështjet sociale dhe në fokus do vazhdoj të kem njerëzit në nevojë. Ne do vazhdojmë të jemi solidarë me ata që kanë më shumë nevojë.

(d.ç./BalkanWeb)