Disa banorë të fshatit Bërxullë, teksa pritet që sot t’u shemben banesat, kanë shkuar në qendrën administrative të Kasharit, ku kanë kërkuar kontratën e qirasë për banesë sociale. Pavarësisht se banorëve iu është komunikuar nga autoritetet se ishin pajisur me një kontratë qiraje për 3 vite, kjo gjë, siç dëgjohet edhe në video, nuk ka qenë e mundur.
Në videot e siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala dëgjohet biseda e dy përfaqësuesve të banorëve që preken nga shembja për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar, me punonjës të kësaj njësie, të cilët thonë se nuk kanë kontrata qiraje për ta.
“Ne na ka ardhur IKMT te shtëpia. Administratori na tha; shkoni te njësia administrative e Kasharit, se e keni kontratën gati për banesë sociale. Po na presin neve. A keni gjë për të na dhënë?”, dëgjohet teksa thotë një nga banorët. Ndërkohë zyrtari thotë se; “Jo nuk kam”. Kujtojmë se nga ky projekt preken 6 familje, të cilat kundërshtojnë shembjen e banesave, ndërsa theksojnë se nuk janë përfshirë në skemën e dëmshpërblimit.
(BalkanWeb)