TIRANË

Ndonëse kanë kaluar disa ditë që studentët protestojnë për plotësimin e disa kërkesave, ndër to uljen e tarifave të shkollimit, përmirësimin e kushteve në universitete e konvikte, mbështetja ndaj tyre tek qytetarët nuk është zbehur.

Edhe mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit Bashkim Hoxha në News24, qytetarë të ndryshëm nuk kanë ngurruar të përshëndesin këtë protestë dhe të tregojnë mbështetje për studentët.

Ata janë ankuar dhe për probleme të tjera të jetës së përditshme, duke folur për një ekonomi të dobët në familjet e tyre.

Telefonues 1: Asgjë nuk ka këtu, vetëm Edi Rama është. Këtu nuk jetohet më. Ja studentët i zgjidhën po ne. Na ka zënë kërpusha, na ka vajtur fukarallëku në gjak. Nuk e dimë ça do bëhet në këtë vend, kështu do jetojmë ne?!
Telefonues 2: Çdo gjë rëndon në kurrizin e popullit. Edhe Unaza dhe studentët dhe taksat janë në kurrizin e popullit. I bëj thirrje kryeministrit të shohë të drejtat e studentëve. Rritja e çmimit të karburantit e ka përsëri kurrizi i popullit. Shqiptarët janë me ekonomi të dobët dhe nuk e bëjnë dot ballë çmimin e karburantit.
Kam punuar 35 vjet në SMT dhe marr 140 mijë lekë pension. I bëj thirrje kryeministrit që ta shohë ligjin, që kush ka dalë nga puna para 94 të marrë pension minimal se nuk mund të jetojmë kështu.
Telefonues 3: Jam dakord me studentët që protestojnë por edhe me popullin e Astirit se i kanë rregulluar dhe me djersë e gjak e emigracion ato shtëpia. E vraftë Zoti. Shtëpia është gjë e shenjtë. Ai njeri nuk ka urime.
Telefonues 4: I mbështes plotësisht studentët. Duhet t’u japë paratë banorëve të Unazës një më një, pa seleksionime.
Telefonues 5: Situata është tepër, tepër e vështirë për kombin shqiptar. Këto dëme që i kanë sjellë këto qeveri për 28 vite nuk i ka sjellë as turku, as serbi, as komunizmi. Njerëzit më të këqij të kësaj toke, më të ulët ngjiten lart. Që nga ky që priste diçka populli që kur u ngjit lart e për ta varrosur po e varros populli. Çdo njeri duhet të ndërgjegjësohet për gjendjen e kombit se s’do ketë më komb. Duhet ngritur kundër tiranisë, kundër këtij njeriu të ulët. I lutem gjithë popullit të zgjohet, të ngrihet kundër këtij personi që quhet Edvin Rama.
Telefonues 6: Jam dakord me protestën por unë investoj për nxënësit që mësojnë.
Telefonues 7: I gjithë populli është me studentët, i gjithë populli është me Unazën e Re. Ne jemi në rrugë mo Bashkim. 70 mijë lekë pension. Nuk dimë ku ngrihemi, nuk ka kush na ngre. Populli është në atë gjendje që nuk ka bukë në tavolinë more Bashkim.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: