Avokatët e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji i janë drejtuar me anë të një kërkese Gjykatës së Apelit. Pala mbrojtëse kërkon të njihet me vendimin e arsyetuar të Gjykatës e cila e dënoi Salianjin me 1 vit burg për kallëzim të rremë publik. Avokatët theksojnë se moszbardhja e vendimit bëhet pengesë për rekursin në Gjykatën e Lartë, ndërsa kujtojnë se ka kaluar afati ligjor prej 30 ditësh.

“Në vijim të këtij njoftimi, i dënuar Ervin Salianji, pavarësisht se nuk është njohur ende me arsyetimin e vendimit që la në fuqi dënimin e tij me burgim dhe që e vë në pozita të pabarabarta me organin e akuzës në lidhje me mjetet procedurale që i njeh K.Pr.Penale (rekurs, kërkesë për pezullim), e ka ekzekutuar atë vullnetarisht, fakt ky që provohet nëpërmjet Procesverbalit (Mbi zbatimin e urdhrit të prokurorit, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, marrë formë me datë 26.09.2024, për shtetasin/të dënuarin Ervin Salianji) të datës 27.09.2024.

Në lidhje me shpalljen e vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, do i referohemi nenit 430/1 pikat 3 dhe 4 të K.Pr.Penale që parashikojnë se:

“3. Vendimi depozitohet në sekretari menjëherë pas shpalljes. Nëpunësi i caktuar vë nënshkrimin dhe shënon datën e depozitimit.

4. Kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja e tij”.

Ndodhur në kushtet që vendimi i sipërcituar nuk u shpall as i arsyetuar e as i përmbledhur, e për më tepër që tashmë ka kaluar dhe afati 30 ditor për arsyetimin e tij nëse do ishte shpallur i përmbledhur, kërkojmë që të na vendoset në dispozicion menjëherë vendimi i arsyetuar në mënyrë që të ndjekim mjetet e tjera procedurale, për aq kohë sa tashmë edhe i dënuari Ervin Salianji ka nisur prej më shumë se një muaji vuajtjen e dënimit me burgim“, thuhet në shkresën e avokatëve të Salianjit.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kujtojmë që Gjykata e Lartë rrëzoi në 15 tetor kërkesën e avokatëve të Salianjit për të pezulluar ekzekutimin e vendimit të dënimit me 1 vit burg. Avokatët e Salianjit bënë parashtrimet shtesë ku kërkuan pezullimin e vendimit “derisa të ketë një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të çështjes. “Pezullimi është i domosdoshëm për të garantuar një proces të drejtë, për të mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe konventore të Salianjit, dhe për të siguruar që demokracia dhe përfaqësimi politik të mos dëmtohen nga një vendim i paarsyetuar dhe disproporcional”.

Avokatët e Salianjit pretendojnë se në vendimin e Apelit është shkelur parimi i proporcionalitetit të dënimit lidhur me atë se, “çdo ndëshkim apo masë kufizuese e lirive të garantuara duhet të jetë e balancuar, e arsyeshme dhe të përputhet me qëllimin për të cilin është aplikuar”. Një tjetër nen i kushtetutës që është shkelur, sipas avokatëve të Salianjit, është neni 22 si dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për lirinë e shprehjes.

Pala e ish deputetit Salianji vlerëson gjithashtu se ekzekutimi i vendimit të Apelit për vuajtjen e dënimit me burg cenon gjithashtu procesin zgjedhor në vend.

Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit më 26 shtator me 1 vit heqje lirie, ndërsa u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës një ditë pas vendimit. Ai po vuan dënimin në burgun e Fierit.

Vijon…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb