TIRANË – Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, vazhdon të denoncojë çmimin abuziv të naftës në treg, të imponuar sipas tij nga tre kompanitë që kontrollojnë tregun. Këtë radhë Braçe ka “gërmuar” në çmim, duke zbuluar se këto kompani kanë gjetur si justifikim, përfshirjen brenda çmimit, edhe të taksës së tabelës!

“Vazhdon shërbimi për 3 kompanitë e naftës që kontrollojnë tregun dhe detyrojnë çmime të padrejta për çdo qytetar shqiptar prej 3 muajsh së paku,- shkruan Braçe në Fb. – Pasi nuk guxojnë të përmendin lirinë për të abuzuar në treg tani kanë gjetur: Taksën e reklamës, pra të tabelës dhe taksat vendore si arsye pse nuk ulet çmimi i naftës plotësisht.

E kuptoni, analisti i Qikagos po vlerëson se 30 lekë për litër që është diferenca nga vlera e naftës së importit, plus taksat, e zënë taksa e reklamës dhe taksat e komunave?! Madje madje, e zënë dhe sigurimet e punonjësve që nuk deklarohen kurrë,- shton ai më tutje, me ironi.

Sipas deputetit, “shërbimi nuk njeh kufi, madje përtej bindjeve ultrakonservatore që vlerësojnë lirinë e tregut dhe jo kapjen e tij! Nejse, sipas doganës së Durrësit, TVSH e paguar për naftën në datë 15 janar është 22,9 lekë e për benzinën në datë 16 janar është 21,6 lekë! Me këtë nivel çmimesh që aplikohen aktualisht, taksat nuk arrijnë në 1000 lekë për litër asnjëherë! Kush gënjeu, gënjeu dhe e ka për nder,”- përfundon kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: