Kompania Phillips 66 po premton një të ardhme më të gjelbër, ndërsa po bënë lëvizje për të ndërprerë rafinimin e naftës së papërpunuar dhe për të ndërtuar një fabrikë masive për prodhimin e naftës së rinovueshme në Kaliforni, duke shfrytëzuar mbetje ushqimore. Por realizimi i këtij synimi nuk është i lehtë.
Në letër, fabrika në Rodeo të Kalifornisë, duket premtuese. Në vend të prodhimit të karburantit tradicional nga nafta e papërpunuar, fabrika do të fillojë të kthejë vajin e përdorur për gatim, vajin e sojës dhe yndyrën shtazore në naftë të rinovueshme, e cila mund të përdoret për kamionët e mëdhenj.
Kompania Phillips 66 thotë se ndryshimi do të përgjysmojë emetimet e gazeve të dëmshëm në këtë zonë.
Por kritikët thonë se projekti, i quajtur Rodeo Renewed, mund të sjell pak ndryshime në nivelin e emetimit të gazeve të dëmshëm dhe thjesht mund të shkëmbejë një grup rreziqesh për ajrin dhe mjedisin e zonës me një grup tjetër problemesh të mundshme.
Ndërtimi i rafinerisë së re të kompanisë Phillips 66, në San Francisko, është një nga disa përpjekjet e ngjashme në mbarë botën, dhe ende nuk dihet nëse do të jetë një model i mirë, apo një përpjekje tjetër e dështuar.
Jolie Rhinehart është menaxhere e përgjithshme e rafinerisë.
“Pasi të përfundojmë konvertimin e objektit dhe ta shndërrojmë atë në qendër të burimeve të rinovueshme, ne nuk do të përpunojmë më naftë bruto. E njëjta gjë do të ndodhë me të gjitha operacionet tona tradicionale, të bazuara në përpunimin dhe rafinimin e naftës së papërpunuar në karburante për mjetet e transportit. Pas konvertimit të objektit tonë, ne nuk do të përpunojmë më naftë bruto”, thotë ajo.
Kompania thotë se ndryshimi do të shkurtojë numrin e ndotësve të emetuar nga objekti dhe kalimi në naftë të rinovueshme do të rrisë numrin e kamionëve që përdorin karburant më të pastër në të gjithë vendin.
“Transportimi i mallrave të rënda është një aspekt jetik për mënyrën tonë të jetesës në vend dhe në botë. Dhe nafta e rinovueshme është mënyra më e mirë për të ulur emetimet dhe për të furnizuar me karburant kamionët tanë”, thotë ajo.
Por pretendimi i kompanisë se do të përgjysmojë nivelin e emetimit të gazeve të dëmshëm nuk përputhet me vlerësimet e emetimeve të publikuara nga rregullatorët e qarkut, që tregon një ulje prej një për qind, sipas një analize të të dhënave të agjencisë së lajmeve Reuters.
Të dhënat e qarkut përfshinin objektin e përgjithshëm, duke përfshirë ndotjen nga rritja e përdorimit të hidrogjenit dhe ndryshimet në sektorin e transportit në rafineri.
Disa studiues thonë se emetimet e krijuara nga kultivimi dhe korrja e sojës dhe yndyrës së nevojshme për të prodhuar naftë të rinovueshme kompensojnë ato që kursehen nga përpunimi i naftës bruto.
Mark Jacobson është profesor i inxhinierisë civile dhe mjedisore në Universitetin e Stanfordit.
“Unë nuk pres të shoh përmirësime. Thjesht do të kemi një emetim të një grupi të ndryshëm kimikatesh krahasuar me ato që emetohen nga rafineritë tradicionale të naftës dhe benzinës”, thotë ai.
Rezultatet do të monitorohen nga afër. Dhjetëra qendra të reja të prodhimit të naftës së rinovueshme janë planifikuar të ndërtohen në Shtetet e Bashkuara dhe kapaciteti i prodhimit mund të trefishohet deri në vitin 2026, thotë kompania Stratas Advisors.
Komuniteti këtu ka jetuar prej kohësh me pasojat e punës të rafinerisë. Maureen Brennan është anëtare e komisionit të monitorimit të ajrit në Rodeo.
“Kam qenë shkencëtare në laborator klinik për 45 vjet dhe kam punuar në sferën e shëndetit publik. Mendoj se kjo është pjesërisht arsyeja pse jam e magjepsur nga ajo që po ndodh këtu dhe gjithashtu e trishtuar. Është një supë toksike në të cilën po jetojmë çdo ditë. Ne jemi në thelb një komunitet i papërfillshëm këtu”, thotë ajo.
Mbetet të shihet nëse kalimi në naftë të rinovueshme do të krijojë kushtet për ajër më të pastër dhe më pak emetime, por ata që do ta ndiejnë atë të parët janë banorët e kësaj zone.