Sot është 1 maji një ditë e cila në të gjithë botën njihet si dita kur punëtorët protestojnë për më shumë të drejta.
Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi i një gruaje, e cila proteston pasi prej vitesh nuk ka arritur dot të marrë atë që i takon edhe pse gjykata i ka dhënë të drejtë.

Në vitin 1998 gruaja ka qenë punonjëse në Fier në një kompani e cila merrej me nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Asokohe ajo ka qenë në pozicionin e kimistes,  por në vitin 2008 gruaja u largua nga puna për arsye personale.

Pas kësaj shkëputjeje ajo u rikthye sërish por jo më në pozicionin e kimistes, gruaja thotë se titullarët e futën në sektorin e mirëmbajtjes pasi pozicionin që ajo la e kishte zënë dikush tjetër.

Zemra (2)
Zemra (2)

Gruaja thotë se për 6 vite rresht ka punuar në vështirësi dhe ka sakrifikuar me shpresën se një ditë do të rikthehej në laborator si kimiste, por kjo nuk ndodhi pasi  në 10 mars të vitit 2015 ajo u njoftua nga kompania se duhet të linte punën pasi firma do të ristrukturonte stafin.

“Më hoqën padrejtësisht dhe ndaj ju drejtova gjykatës. Më 24 nëntor 2017 gjykata më dha të drejtë dhe e detyroi firmën që të më jepte 9 paga mujore  si dhe 11 paga si shpërblim vjetërsie në punë. Vendimi mori formë të prerë në 15. shkurt 2018. Edhe pse gjykata foli sërish në favorin tim unë sot e kësaj dite nuk kam arritur të marr atë që më takon”, rrëfeu gruaja.

Ajo i është drejtuar edhe Ministrisë së Energjetikës, si dhe Kryeministrisë. Nëpërmjet shkresave zyrtare institucionet kanë deleguar problemin dhe i kanë kërkuar firmës të riktheje zonjën në punë. Por edhe kjo nuk ka ndodhur. Ndërsa në anën tjetër përmbarimi ka kërkuar të ekzekutohet vendimi por edhe këto lëvizje nuk kanë arritur t’i japin zonjës atë që i takon. Sot gruaja jeton me nënën 83-vjeçare dhe megjithëse ka punuar për 27 vjet, gjendet e vetme e pafuqishme për të marrë të drejtën e saj. Gruaja kërkon ndihmë ligjore, si të duhet të veprojë dhe i bën apel edhe drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb