Në fillim të janarit ka nisur punën gjykata speciale në Hagë që do të hetojë krimet e supozuara nga Ushtria Clirimtare e Kosovës. Në Hagë janë paraqitur tre ish komandantë të kësaj ushtrie, por ndërkohë edhe të tjerë pritet të merren në pyetje atje. Një nga themeluesit e UCK-së, Nait Hasani i cili është deputet i PDK-së në kuvendin e Kosovës deklaron se themelimi i kësaj gjykate ka qenë një vendim i padrejtë Sipas Hasanit, kjo gjykatë është ngritur bazuar në raportin e Dick Marty i cili flet për krime apo transplant organesh.

“Ne e dimë se Ushtria Clirimtare e Kosovës në asnjë moment nuk ka kryer krime ndaj askujt. UCK ka mbrojtur Kosovën, ka mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ata që janë në Kosovë. Duke menduar se nuk kemi bërë krime ne e kemi kaluar këtë çështje në heshtje. Serbia bashkë me Dick Marty kanë arritur që ta miratojnë raportin në Parlamentin Europian. Qeveria në Kosovë nuk ka arritur që ta formojë një gjykatë sikurse e ka themeluar Kroacia apo Bosnja”.


Sipas deputetit Hasani, mungesa e krijimit të gjykatës në Kosovë ka çuar në themelimin e gjykatës në Hagë.


“Krijimi i kësaj gjykatë është luftë politike që synon të inkriminojë UCK-në dhe ta barazojë me krimet dhe gjenocidin që ka bërë Serbia në Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci, Prandaj Serbia ka arritur që ta bindë opinionin publik evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi që të krijojë një gjykatë speciale për krime të supozuara dhe transplant organesh në baze të raportit të Dick Marty. Serbia synon të dëshmojë se nuk ka kryer krime, por krimet jane kryer nga Ushtria Clirimtare e Kosovës. Ne si Kosovë nuk kemi mundur ta argumentojmë ose nuk kemi pasur fuqi që ta argumentojmë. Serbia ka shfrytëzuar heshtjen tonë duke u përpjekur të na inkriminojë. Tani në Hagë kanë shkuar komandantët tanë të luftës, Sami Lushtaku, Rustem Mustafa, Sabahajdin Cena dhe të tjerë që do të shkojne atje” deklaron Hasani për Diplomaticus.


Deputeti i kuvendit të Kosoves nënvizon se gjatë luftës janë vrarë mbi 13 mijë shqiptarë, janë djegur shumë shtëpi dhe jane dhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare, por ndërkohë autorët e këtyre krimeve nuk janë gjykuar ashtu siç ishte edhe rasti i autorëve të masakrës së Reçakut.

I pyetur nëse kjo gjykatë do të intervistojë edhe drejtuesit më të lartë të Kosovës siç është presidenti Hashim Thaçi i cili ka qënë komandant i lartë i UCK-së, Hasani rithekson se UCK nuk ka kryer krime, por raporti i Dick Marty e inkriminon vazhdimisht Hashim Thaçin.

(BalkanWeb)