Napoli vuan jashtëzakonisht shumë përballë Venezia-s, por mjaftoi një gol i Raspadorit për të dalë me tre pikë, një sukses i rëndësishëm, me blutë që mbyllin vitin në vendin e 2-të në kuotën e 41 pikëve, po aq sa edhe Atalanta kryesuese. Ekipi i Antonio Conte-s kishte kontrollin total të sfidës, flirtuan me golin që në fillim me Ramadanin, por rastin më të pastër e shpërdoroi Romelu Lukaku, me sulmin belg që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 37-të. Me fillimin e pjesës së dytë, Lukaku ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule. Më në fund, pas disa tentativa, Napoli gjeti golin e avantazhit me Raspadorin, një gol që në fund rezultoi një trepikësh.
Në përfundim të ndeshjes, e fundit për këtë vit, Conte u shfaq i kënaqur me këtë rrugëtim, por sërish nuk flet për titull: “Kush me njeh e di shumë mirë që unë nuk luajë për objektiva minimal, edhe kur luaj letra me vajzën time, dua të fitoj. Nuk firmos për objektiva minimal. Projekti ynë është i ri, por të gjithë brenda nesh i kanë të qartë objektivat. Të merrnin 41 pikë në fazën parë është diçka e vështirë për t’u besuar”, u shpreh Conte.
Një ndeshje spektakolare me 4 gola rezultoi ajo ndërmjet Juventus dhe Fiorentines, në fund, dy ekipet ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2. Khephren Thuram ishte protagonisti kryesor, me sulmuesin francez që realizoi një “dopietë” golash. Thuram kaloi “Zonjën e Vjetër” në avantazh në minutën e 20-të, me një aksion të bukur personal, por një ish i famshëm si Kean barazoi shifrat në minutën e 38-të, me një goditje të saktë me kokë. Në shenjë respekti ndaj ish ekipit të tij nuk festoi.
Me fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Thuram që kaloi edhe një herë Juven në avantazh. Nuk ishte e thënë që tifozët e “Zonjës” të mbyllin vitin me fitore, pasi Sottil realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 87-të duke sigluar shifrat përfundimtare në 2-2. Të dy ekipet mbyllin vitin në kuotën e 32 pikëve, me Fioren që renditet në vendin e 5-të fal golavarazhit më të mirë.
(BalkanWeb)