NGA JETON SELIMI

Javën e ardhshme “do të ndahet shapi nga sheqeri”, sepse Juventusi do të presë Napolin dhe më në fund të paktën njëra prej tyre do të ndalet. Edhe sot të dyja skuadrat më të mira kanë bërë detyrën, edhe pse ndoshta kanë menduar më shumë sesa duhet për përballjen direkte pas një jave. Napoli vuajti shumë për të thyer rezistencën e Karpit, që konfirmoi lojën e mirë të muajve të fundit dhe u mbrojt me shumë kujdes, të paktën derisa mbeti me 10 lojtarë, në minutën e 56-të.

Më pas, sulmet e Napolit u shtuan dhe erdhi një penallti e transformuar në minutën e 69-të nga i zakonshmi Higuain, i ngjitur tashmë në kuotën e 24 golave. Edhe Juve në teori duhet të shëtiste në Frosinone, por ashtu si në fazën e parë, vuajti jo pak për të çarë mbrojtjen vendase, derisa erdhi goli i Kuadrados në minutën e 73-të. Më pas, gjithçka u lehtësua dhe Dibala në fundin e ndeshjes vulosi fitoren, që i mban bardhezinjtë shumë pranë Napolit. Gjithashtu, ishte fitorja e 14-të rresht në kampionat për bardhezinjtë, që vendosin një tjetër rekord fitoresh rresht në Serinë A për klubin.

Pas Fiorentinës dhe Interit që barazuan, ka ardhur edhe barazimi i Milanit, që ka zhgënjyer total- Jeton Selimi isht në “San Siro”, kundër Udinezes. Ishte një ndeshje që mund dhe duhej fituar patjetër, sepse dy fitoret e fundit linin të mendohej se kuqezinjtë kishin gjetur më në fund ekuilibrat e duhur. Megjithatë, duket se ka qenë gjithçka një rastësi dhe Milani i vërtetë, ai që ka zhgënjyer shpesh këtë sezon sidomos në ndeshje të lehta në letër, është kthyer sërish në skenë. Udineze shënoi që në fillim dhe autori ishte një ish-milanist, kolumbiani Armero, ndërsa në fillim të pjesës së dytë barazoi Niang, i shërbyer nga Baka. Më pas, një traversë e Bertolaçit, shumë presion nga Milani dhe asnjë gol: vendi i tretë largohet sërish. Ndeshje e “çmendur” në Verona, ku vendasit dhe Interi zhvilluan një spektakël gabimesh, duke u ndarë në barazim 3-3.

Mançini gëzoi i pari pasi Murijo kaloi Interin në avantazh që në minutën e tetë, ndërsa Verona përmbysi gjithçka që në pjesën e parë, duke i treguar Interit se në mbrojtje nevojitet revolucion. Helander barazoi për verdhezinjë, ndërsa Pisano hodhi Interin në tapet, duke shënuar të dytin. Verona të argëtohet edhe pas pushimit, duke shënuar të tretin, ndërsa Mançini përdori kartën e fundit, Perishiç, i cili edhe pse e nisi nga stoli, u kthye në vendimtar. Kroati asistoi Ikardin në golin e dytë dhe barazoi minuta më vonë, duke lehtësuar vuajtjen e zikaltërve. Në fund, ekipet pas një “mal” gabimesh, pranuan barazimin 3-3, që i ndihmon pak në objektivat sezonalë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: