Skuadra e Napolit nuk e pati aspak të vështirë të kualifikohej në turin e 1/8 të Kupës së Italisë, pasi mposhti me “Manita” Palermon, në një ndeshje me sens unik. Napoli i Antonio Contes e dominoi sfidën teksa, tekniku leçes i aktivizpo yjet e tij si Lukaku e Kvara vetëm në 15 minutat e fundit të sfidës. Dy gola nga Ngonge dhe një nga mbrojtësi brazilian Juan Jesus, sigluan shifrat 3-0 që në fraksionin e parë për napoletanët. Për t’i thjeshtuar gjërat akoma më shumë për vendasit, mendoi lojtari i Palermos Vasiç, i cili me nisjen e pjesës së dytë u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të parregullt në mesin e fushës.

Dy golat e fundit të mbrëmjes erdhën nga dy blerjet e reja David Neres dhe skocezi Mc Tominay, të cilët festuan në këtë mënyrë edhe golat e parë me fanellën e kaltër.

Pas sfidës i lumtur ishte tekniku Antonio Conte, i cili e komentoi kështu suksesin e skuadrës së tij: “U futëm me mentalitetin e duhur në këtë ndeshje. Më pëlqen dëshira, vendosmëria e lojtarëve të mi në fushë. Kemi nevojë të ruajmë këtë gjendje e të kërkojmë vazhdimësi në rezultate. Për këtë do na duhet shumë punë.  Kjo skuadër më ngjason me Interin, në kohën kur e drejtoja unë. Edhe aty na u desh të rindërtonim çdo gjë nga e para, njësoj sikundër po bëjmë edhe këtu tek Napoli”, theksoi tekniku Conte.

Në këtë mënyrë është konfiguruar plotësisht edhe faza e 1/8 të finaleve të Copa Italia, teksa në këtë fazë Napoli do të gjejë skuadrën e Lazios.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: