Tetë ndeshje pa pësuar humbje, tetë fitore radhazi bëhen “nul” në “Maradona” Juventus bie keq në transfertë përballë Napolit me blutë e Spalletit që i dhurojnë një leksion të vërtetë futbolli duke i mposhtur me rezultatin e thellë 5-1.

Ekipi i Spalletit ishte i papërmbajtshëm duke marrë menjëherë kontrollin e lojës teksa kaluan në avantazh që në minutën e 14-të me Osmihen. Juve iu përgjigj me Di Maria-n, por argjentinasi ishte i pafat me topin që iu përplas në traversë. Osimhen ishte protagonist edhe në golin e dytë duke dhuruar një asist të pastër për Kvara. Për të rihapur sfidën mendoi Di Maria që në minutën e 42-të ngushtoi shifrat në 2-1. Me fillimin e pjesës së dytë, Napoli gjeti golin e tretë ku Rrahmani me një predhë nga brenda zonës tundi rrjetën. Blutë ishin të papërmbajtshëm duke shënuar dhe golin e katërt në minutën e 65-të, me Osimhen që kompletoi dopietën personale.

Juve e kishte të vështirë të reagonte ndërsa Elmas në të 72-tën dërgoi shifrat në 5-1. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me Napolin që merr një fitore të madhe, një trepikësh që përforcon akoma më shumë statusin e Napolit si favorit kryesor për të fituar titullin në Serie A, për momentin diferenca me Milanin e vendit të dytë në 10 pikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: