Emisioni ‘Në Shënjestër’ i gazetares Klodiana Lala në News24 ka trajtuar mbrëmjen e sotme dosjen më të fundit të SPAK ku zbardhen shumë detaje mbi lidhjet, përplasjet, aleancat dhe skenarët e vrasjeve, mes grupeve apo bandave kriminale.
Nuk është më një telenovelë, por një nga historitë më të pabesueshme të krimit në Shqipëri.
E denjë për Narcos dhe kartelet.
Se si ata që deri dje ishin miq dhe më pas u bënë armiq, hakmarrja e përbashkët për miqtë dhe të afërmit e vrarë, duket se i bëri edhe njëherë bashkë, tashmë për të zmbrapsur kundërshtarët e tyre, të cilët kishin përvetësuar terrenin dhe po i qëllonin në pragun e dyerve të tyre.
Kjo duket se është edhe historia e Ervis Martinaj, i ashtëquajturi ‘Mbreti i Kumarit’ në Shqipëri, i zhdukur pa gjurmë që nga gushti i vitit 2022 dhe Arben Ndokës, ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili në dhjetor të vitit 2017, kishte humbur në Lezhë, një pritë të dera e shtëpisë, vëllain Aleksandër Ndoka.
Dhe për t’u hakmarrë për humbjen e vëllait lidhi një ortakëri me Ervis Martinaj, i cili edhe ky nga ana e tij kërkonte shpagim për kundërshtarët e tij, të cilët kishin shkuar shumë lart në goditjen e tyre, duke eleminuar kohë pas kohe ushtarë të rëndësishëm të ‘Mbretit të Bixhozit’.
Apo thënë ndryshe i kishin prerë krahët e armatosur Ervis Martinaj.
Por nëse deri këtu ajo që mund të bënim ishte thjesht të hamendësonim mbi atë që po ndodhte, apo të lexonim skakierën e krimit, se si ajo po rrallohej nga gurët e saj, pa kuptuar qartë se kush i lëvizte apo po kush i hante figurat në fushë.
Tashmë SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, me prerjen së fundmi të 50 fletëarresteve, në kuadër të operacionit më të madh të ndërrmarrë ndonjëherë nga drejtësia të goditjes së grupeve kriminale, ka mundur të zbardhë disa nga ekzekutimet më të rënda, të ndodhura në Shqipëri, në harkun kohor të 15 viteve të fundit.
Ngjarje të cilat kishin mbetur pa autor, por që në qendër të kësaj përplasje të përgjakshme me viktima të shumta, duket se ishin krerët më të lartë të bandave në Shqipëri.
Të cilët ishin bërë bashkë kundër njëri-tjetrit, me qëllim finalizimin e plotë të hakmarrjes së tyre.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë dhe Rrëshen.
Por cila është lidhja e Ervis Martinaj me grupin e Arben Ndokës, dikur ish-deputet i Partisë Socialiste, i përzënë jashtë parlamentit për shkak të ligj të dekriminalizimit.
Dhe çfarë i bëri ata bashkë, kundër klaneve të tjera kriminale.
Kush janë këto klane, që kishin shqetësuar kaq shumë rehatinë e bosit të kumarit, aq sa të ndërrmerrte një revansh.
Por që fillimisht i duhej një ortakëri.
Sipas të dhënave që disponon emisioni ‘Në Shënjestër’, menjëherë pas vrasjes së të vëllait, Aleksandër Ndoka, mëngjesin e datës 9 Dhjetor 2017, në derën e shtëpisë së tij në Lezhë, ish-deputeti socialist Arben Ndoka nisi kërkmet e tij, se kush mund të jenë autorët e mundshëm të ekzekutimit të njeriut të tij të afërt.
Edhe pse ka dyshime lidhur mbi emra të përveçëm ai nuk është ende i bindur mbi autorin e vërtetë. Pikërisht për këtë arsye ai thërret për të bërë be disa nga personazhet e botës së krimit.
Midis personazheve që iu përbetuan se nuk kishte lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës ishte edhe Durim Bami, i njohur si një nga të fortët e Niklës dhe Aleksandër Deda alias Aleks Ndreka i njohur me nofkën Leksi i Druve.
Por ndërsa Arben Ndoka kishte hallet tij dhe ishte në gjuetinë për gjetjen dhe eleminimin e vrasësve të vëllait të tij, ai e kishte të pamundur ta realizonte i vetëm këtë mision.
Ndaj thërret në ndihmë Ervis Martinaj.
I cili edhe ky nga ana e tij, po shikonte se si po i ngushtohej laku dhe po i vriteshin bashkëpunëtorët një e nga një.
Dhe në pamundësi për të mbledhur forcat e pakësuara dhe dobësuara nga plumbat që po i korrnin kohë pas kohe të fortët të tij, ai vendos të lidhë një ortakëri me Arben Ndokën.
Ku pakti do të ishte, që të dy do të bashkonin fuqitë, sa herë ata do thërrisnin në armë njëri-tjetrin.
Pra një ndihmë reciproke, ku patjetër në ndihmë do vinin edhe njohjet e tyre në polici, që do i furnizonin me informacion, lidhur mbi lëvizjet e kundërshtarëve.
Dosja Hetimore
Pasi lidhën aleancë me njëri-tjetrin, këto dy grupime ranë në kontakt me grupe të tjera kriminale dhe rekrutuan vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë- Krujës dhe atë të Burrelit.
Një nga këta kundërshtarë të përbashkët, të Ndokës dhe Martinaj, emri i të cilit ishte shënuar prej tyre me rreth të zi, ishte Durim Bami.
Një personazh i përfshirë në ngjarje të shumta kriminale, por edhe me dijeni për shumë të tjera që kanë ndodhur në këto vite.
Ku Arben Ndoka në njërin krah, për interesat të veta, dyshonte se Durim Bami ishte organizator i vrasjes së të vëllait, Aleksandrit.
SPAK
Arben Ndoka është i angazhuar me qëllim vrasjen e shtetasit Durim Bami për shkak se dyshon si autori kryesor dhe organizator i vrasjes së vëllait të tij shtetasit Aleksandër Ndoka ndodhur në Lezhë me datë 9 Dhjetor 2017. Ai shprehet se është i interesuar të vrasë Durim Bamin dhe vëllain e tij Valter Bami, por edhe persona të tjerë nëse do jenë në prezencë të tyre.
Me qëllim realizimin e vrasjes Arben Ndoka bashkëpunon me lidhjet e tij familjare dhe shoqërore.
Ervis Martinaj, nga krahu tjetër, mendonte se Bami i frikshëm, kishte lidhur aleancë me vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, dhe po punonte me ta që të hiqte qafe bosin e kumarit.
Pasi ky i fundit thuhet se kishte marrë peng dhe dhunuar në një garazh në zonën e Freskut në Tiranë, babain e vëllezërve Duka.
Dhe këta të fundit mendohet se vunë në tavolinë të gjithë pasurinë e tyre për të goditur Martinajn dhe grupin e tyre.
Ku në harkun kohor të pak kohëve u ekzekutuan Santiago Malko, i konsideruar si krahu i djathtë i Martinaj.
I cili u vra më 17 Gusht 2019 pranë zonës së njohur si ‘Xhamllëku’ në Tiranë.
Dhe më 13 Nëntor 2021, në Unazën e Madhe në zonën e Astirit në Tiranë, u qëllua për vdekje brenda makinës me të cilën udhëtonte, Erigers Mihasi.
Si dhe shoku i tij, Armand Dumani.
SPAK
Ervis Martinaj ka patur rolin e bashkëfinancuesit për kontraktimin e personave që do të angazhohen në realizimin e vrasjes. Ai siguronte informacion për vendndodhjen e Durim dhe Valter Bamit, dhe Gentian Koçit. Dhe këto informacione ia përcillte Arben Ndokës. Ervis Martinaj ka siguruar automjetet për ndjekjen dhe vëzhgimin e objektivit.
Pra thënë ndryshe, Martinaj do t’i përgjigjej me para ish-deputetit Ndoka, me qëllim që ai të arrinte qëllimin e tij. dhe për kokën e Durim Bamit dhe të vëllait ishin premtuar deri në 1 milionë euro.
Për të mundësuar eleminimin e sigurtë të Durim Bamit, SPAK thotë se dyshja Martinaj-Ndoka, thirrën në ndihmë njohje të tyre të vjetra në botën e krimit.
Një ndër këto personazhe, në mos ndër më të frikshmit, që ka parë bota e krimit, është edhe Emiljano Shullazi.
I cili edhe pse në burg, vendosi të bashkëpunojë me Martinajn dhe Ndokën dhe brenda në qeli siguron një telefon te ekriptuar.
Vetë Shullazi thuhet se kishte përplasje me Durim Bamin, pasi dyshonte se ky i fundit më 5 janar 2015 ishte pikërisht ai organizatori i atentatit te mbikalimi i Kasharit.
Ku u tha po ashtu se mbi Shullazin qëlloi Enver Stafuka, edhe pse ndaj tij nuk u ngrit asnjëherë akuzë. Enver Stafuka, sic thuhet iu përbetua në spital Shullazit se nuk e dinte mbi kë qelloi.
Më vonë, ai u rrëmbye dhe u zhduk pa gjurmë nga një togë me uniforma policie, vetëm pak sekonda pasi ishte ndarë nga vëllezërit Durim dhe Valter Bami, miku i tij Gentjan Bejtja dhe Ramazan Rraja nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Për t’i ardhur në ndihmë aleancës kriminale, Shullazi mësohet se kontaktoi Marklen Hakën, dikur miq i ngushtë i Durim Bamit, tashmë armik i tij.
Marklen Haka i njohur si Tuku, që iu kishte mbijetuar disa atentateve, informonte Shullazin në burg për lëvizjet e dy vëllezërve Bami, automjetet që ata përdornin, vendet që frekuentonin dhe personat me të cilët shoqëroheshin.