Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani duke folur për reformën zgjedhore tha se kjo reformë është e domosdoshme për Shqipërinë, për funksionimin e demokracisë në vend.

Ristani tha se puna e reformës zgjedhore është si puna e Nastradinit, të cilin e pyetën banorët e një fshati se përse kambanat bien kudo dhe jo në fshatin e tyre e Nastradini u përgjigj se në radhë të parë në atë fshat nuk kishte kambana.

Arben Ristani theksoi se reforma zgjedhore është e rëndësishme që të preket, pasi ajo prek edhe reforma të tjera, deri te ajo në drejtësi, e cila sipas tij është deformuar.

Ristani shton se Rama e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese, është Rama që ka bërë thirrje ndaj policëve që të votojnë partinë në pushtet, duke thënë se të gjitha këto janë tregues se kryeministri vë partinë mbi Shqipërinë. Një mendim për çështjen e reformës zgjedhore e dhanë edhe eksperti Roland Lami e ish-kreu i KQZ Kristaq Kume.

Arben Ristani: Deri tani ka vullnet të keq për të bërë me dashje gjëra të këqija. Sot e tutje duhen bërë gjëra të mira me vullnet të mirë. Më 2009 kam pasur fatin që të jem në krye të KQZ, duke marrë vlerësim maksimal nga ana e organizatave ndërkombëtare. Nastradinin e pyetën në një fshat pse nuk ranë kambana në fshatin e tyre. Nastradini tha se kambanat në fshat nuk ranë në radhë të parë se nuk ka kambana.

Dhe në këtë rast është si historia e kambanës. Po nuk pati vullnet politik, është e kotë të flasim për të tjerat. Na duhet që të kemi edhe sistem që na jep qeverisje stabël, por edhe të kemi demokraci të brendshme.

Ne nuk flasim vetëm për reformën zgjedhore, por për një sërë reformash. Dalim deri te reforma në drejtësi, që ka problemet  e saj. Në rast se nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka institucione gjyqësore, atëherë pse po flasim. Del kryeministri dhe thotë se policët duhet të votojnë për PS pas punës. Del se partia na qenka mbi partinë dhe derisa është ky realitet kot flasim për të tjerat.

Roland Lami: Bundestagu ka dërguar rekomandime drejt Shqipërisë. Bundestagu ka kërkuar edhe hetime për dosjet, ku flitet për shit-blerje votash. Është që është e paqartë te opozita është se do të ndalet te Kodi Zgjedhor apo e shikon Kodin Zgjedhor për t’u marrë me çështje të tjera. Në Shqipëri ka problem me vullnetin për të bërë reformën zgjedhore. OSBE mund të “godasë” në dy drejtime që të qetësojë palët.

Kristaq Kume: Ne kemi devijuar nga dy parime bazë të funksionimit të demokracisë. Domosdo duhet kultura e zbatimit të ligjit, e respektimit të ligjit. Duhet të ndërhyjmë brenda shtratit ligjor, të bëjmë reformën zgjedhore sa më mirë. Mënyra se si ne e kemi ndërtuar të gjithë “ngrehinën legjislative” është e tillë që ka krijuar kushte që ne të devijojmë. Qytetari duhet të zgjedhë se kush janë njerëzit që ai dëshrion të jenë përfaqësuesit e tij politik.

(d.xh/Balkanweb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb