BERAT
Nata e ndërrimit të viteve e ka gjetur mbrëmjen e djeshme Beratin të tejmbushur me njerëz,të grumbulluar në qendër të qytetit.
Qindra qytetarë beratas u grumbulluan në sheshet e rrugët e qytetit,duke u argëtuar dhe duke shijuar spektaklin e fishekzjarreve. Sapo ora shënoi 00:00, që shënoi edhe ardhjen e vitit 2025,i gjithë qielli u mbulua nga fishekzarre të panumërta të hedhura nga bashkia e qytetit.
Ishte një spektakël i vërtetë fishekzjarresh, që ndriçoi qiellin beratas për rreth 20 minuta. Qytetarët beratas u grumbulluan për të pritur ardhjen e Vitit 2025 rreth Pemës së madhe të Vitit të Ri,të vendosur në qendër të qytetit, aty ku prej një muaji janë vendosur edhe shtëpizat e verës.
Nata festive e ndërrimit të viteve vijoi më pas gjatë gjithë natës me festimet e qytetarëve në baret e lokalet e qytetit, duke uruar njëri-tjetrin “Gëzuar,nga mot gëzuar”.
Në rrugët e qytetit ka pasur prezencë të shtuar të forcave të policisë,që kanë qenë në gatishmëri të plotë, jo vetëm për të garantuar qarkullimin normal në rrugët e Beratit por edhe për të shmangur çdo incident të mundshëm.