Nga: FATOS ÇOÇOLI*

Me popullin vëlla turk dhe ekonominë turke na lidhin me mijëra fi je. Janë me dhjetëra mijëra prej nesh që jetojnë, punojnë ose studiojnë në Turqi. Turqia ekonomike është partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë dhe Gjermanisë. Lajmet e turbullta të mbrëmjes së vonë të së premtes mbi një grusht shteti në Ankara dhe Stamboll, që mund ta zhyste këtë vend, popull dhe qeveri që aq shumë na kanë ndihmuar, ku na simpatizojnë dhe na trajtojnë si të barabartë, drejt humnerës së një lufte civile, na mbajtën gjithë natën përpara televizionit. Është vështirë dhe për vetë turqit të shpjegojnë se çfarë ndodhi mbrëmjen e 15 korrikut dhe në agimin e 16 korrikut 2016. Një pjesë e komandës së ushtrisë turke mori peng Shefin e Shtabit të Ushtrisë dhe nxori tanket, helikopterët ushtarakë dhe disa avionë gjuajtës mbi Ankara dhe Stamboll. Pati disa përleshje dhe shkëmbim zjarri me forcat e policisë. U bllokua aeroporti i Stambollit, u pushtuan zyrat e CNN-it turk si dhe u bllokuan për disa orë dy urat qendrore mbi Bosfor në Stamboll. Zyrat e CNN-it turk u arrit të liroheshin dhe Presidenti Erdogan i bëri thirrje qytetarëve të dilnin në sheshe dhe në rrugë dhe të ndalonin avancimin e njësive ushtarake rebeluese, nëpërmjet një rrjeti social, nga një celular që e mbante në dorë gazetarja e CNN-it turk në studio, dhe që tregonte presidentin duke folur. Dhe ndodhi pikërisht si bëri thirrje Erdogan. Mediat botërore u mbushën me dhjetëra fotografi e regjistrime kamerash dhe celularësh të qytetarëve që sfiduan tanket dhe i ndalën ato, madje duke i detyruar ushtarët t’i braktisnin. Lajmi për një grusht shteti në Turqi erdhi shumë i papritur. Jo sepse kjo nuk kishte ndodhur më parë. Gjatë 50 viteve të fundit, ushtria turke ka kryer katër grushte të mëparshme shteti, të gjitha të suksesshme, në vitet 1960, 1971, 1980 dhe 1997. Ushtria turke dhe oficerët e lartë të saj kanë pasur shumë influencë në Turqinë moderne të krijuar nga Qemal Ataturku. Të paktën deri përpara 10-15 viteve. Kjo ushtri trashëgonte amanetin e Ataturkut, që e donte ushtrinë, krijesën e tij në Turqinë e evropianizuar, që të ishte garante e demokracisë në vend. Në emër të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, ushtria turke ka ndërhyrë në katër herët e mëparshme të grushteve të shtetit, ka larguar qeveritë e atëhershme dhe pastaj është tërhequr, duke lënë pas qeveri më pak islamiste dhe më demokratike, edhe pse vendi mbante vulën e një veprimi diktatorial. Kësaj here nuk pritej një grusht i pestë, për shkak se njeriu i gjithëpushtetshëm i Turqisë, Presidenti i sotëm Erdogan, kishte rralluar shtresat e ushtrisë turke nga kundërshtarë të ideve dhe formave të tij të ushtrimit të pushtetit. Grushti i pestë i shtetit në Turqi, i konsumuar shumë shpejt, brenda pak orësh, ishte më amatori dhe më i pasuksesshmi. Shumë analistë të situatës dhe problematikave turke shprehen se autorët e puçit duhet të jenë ndjekës të Lëvizjes Gulen, sipas emrit të një ish-kleriku të emigruar në SHBA, më parë bashkëpunëtor i Erdogan, por që më vonë u shkëput dhe ju bë armik. Ekspertët bashkohen në një pikë kur deklarojnë se grushti i shtetit ishte një produkt i kundërshtive të brendshme politike dhe ushtarake të Turqisë. Shumica e analistëve perëndimorë shprehen të bindur se kjo ndodhi, sa e rëndë dhe me bilanc tragjik (me qindra të vdekur dhe mijëra te plagosur), aq edhe sporadike dhe e kufizuar, do ta bëjë Presidentin turk Erdogan akoma dhe më të pushtetshëm dhe dominues në Turqi. Ata i frikësohen kundërveprimit të menjëhershëm ndaj puçit, që mund ta zhysë Turqinë në një mjedis akoma edhe më fetar, duke kufizuar më tej lirinë e të shprehurit, veprimtaritë e opozitarëve të Erdogan dhe të dobësojë edhe më tej të drejtat e njeriut në këtë vend anëtar i NATO-s. Vetë Presidenti Erdogan u shpreh se “Puçi i Shtetit ishte një dhuratë nga Zoti për të pastruar radhët e ushtrisë”. Por ka dhe të tjerë analistë që mendojnë se dalja masive e qytetarëve kundër ushtrisë mund të jetë edhe një thirrje e fuqishme e forcës së demokracisë, e vullnetit të njerëzve, që në një periudhë afatmesme mund t’i pakësojë Presidentit Erdogan dëshirën për të qenë lideri absolut i një shoqërie që përpiqet të jetë evropiane, me shumë hije dhe tërheqje fundamentaliste nga brenda, por edhe e dhjetëra miliona qytetarëve turq, një pjesë e te cilëve janë gati të sfidojnë edhe tanket në emër të idealeve të demokracisë perëndimore. Brenda përpjekjes së tij për të pasur një Turqi të stabilizuar dhe me ekonomi të fortë, lideri i Turqisë duhet të krijojë edhe kushtet ku filizat e demokracisë perëndimore të mos vyshken, përkundrazi, të mund të mbijetojnë e të bashkëjetojnë me kulturën e traditat e Anadollit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)    

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: