Kosova ka mbajtur një seancë stërvitore të lehtë sot paradite, në prag të ndeshjes së rëndësishme kundër Qipros, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Stërvitja ka qenë e orientuar pa ngarkesa fizike, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka punuar në detajet e fundit të rreshtimit të ekipit dhe në aspektin taktik, veçanërisht gjatë lojës me ndërprerje, si në repartin e mbrojtjes ashtu edhe në atë të sulmit.
Atmosfera brenda grupit të Dardanëve është shumë pozitive. Futbollistët janë të motivuar dhe të gatshëm që të japin maksimumin në ndeshjen e sotme, me qëllimin për të kënaqur tifozët e zjarrtë me një tjetër paraqitje të mirë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Interesimi për këtë ndeshje është i madh, pasi janë shitur të gjitha biletat dhe spektakli nga tifozët ‘Dardanët’ nuk do të mungojë.