Trajneri i Kosovës, Franco Foda iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjeve të Nations League, ndaj Lituanisë dhe Qipros.
“Objektivi ynë është i qartë: nëse dëshirojmë të jemi të parët në grup, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet e radhës. Lituania është një skuadër cilësore dhe e tregoi këtë duke luajtur mirë kundër Rumanisë. Për ne është shumë me rëndësi që ta marrim vetëbesimin nga fitorja kundër Qipros dhe ta transferojmë në ndeshjen kundër Lituanisë”, tha Foda.
Në lidhje me formacionin dhe nëse do të luajë sërish me dy sulmues, Foda tha gjithçka do të vendoset pas seancave stërvitore: “Fillimisht do të kemi disa njësi stërvitore dhe do të shohim se si do të veprojmë me një apo dy sulmues. Por, nuk ka rëndësi sa sulmues do të jenë në fushë, por ajo që është e rëndësishme është që të kemi posedimin e topit dhe të imponojmë ritmin tonë të lojës”, shtoi Foda.
Ai tutje shprehu respekt për kundërshtarin e ardhshëm: “Lituania ka cilësi të mira dhe e ka treguar këtë në ndeshjen kundër Rumanisë. Për ne, është jetike ta ruajmë ritmin që patëm kundër Qipros dhe atë vetëbesim ta transferojmë në këtë ndeshje. Por të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje kur ata lëshohen në kundërsulme, pasi kanë sulm të rrezikshëm”.
Në këto dy ndeshje Kosovës do t’i mungojë Vedat Muriqi, i cili është i lënduar, por Foda theksoi se kanë disa alternativa për zëvendësimin e tij: “Vedat Muriqi është shumë i rëndësishëm për ne dhe pa dyshim se është mungesë e madhe, por kemi alternativa. Rashica është opsioni i parë, ndërsa edhe Asllani dhe Rrahmani janë aty”.
Lidhur me ardhjen e portierit të ri, Amir Saipi, ai u shpreh shumë i lumtur që portës dardane iu shtua edhe një alternativë mjaft cilësore. “E kam vrojtuar me kujdes performancat e tij në Lugano dhe jam shumë i lumtur që ka zgjedhur ta përfaqësojë Kosovën. Cilësitë e tij do të jenë një aset i vlefshëm për ekipin. Vendimi për portierin që do të vendoset në formacion do të merret pas stërvitjeve”, deklaroi Foda.
I pyetur nëse e ka përcjellë Meriton Korenicën, që po kalon formë të mirë në Cluj, Foda shtoi: “E njohim mirë dhe është në listë të 50 lojtarëve. Tani është dashur të vendosim për 24 lojtarë për të cilët mendojmë se janë më të mirët në këtë moment, në përjashtim të Vedat Muriqit, i cili është i lënduar. Zëvendësimi i Selmanit me Muharrem Jasharin? Selmani është zëvendësuar për shkak të një lëndimi”.
Foda gjithashtu sqaroi situatën lidhur me përjashtimin e Edon Zhegrovës, Arijanet Muriçit dhe Florent Muslijës në prag të ndeshjes së kaluar me Qipron. “Versioni origjinal është se vendimi për përjashtimin e tyre është marrë bashkërisht nga unë dhe federata, pasi këta lojtarë kanë thyer rregullat e grumbullimit”, shpjegoi ai.