Portugalia frenohet në Skoci. Një barazim 0-0, që i jep një pikë skuadrës së Roberto Martinezit, që gjithsesi arrin të sigurojë Play Offin, në Ligën A të Nations League.

Tekniku spanjoll i portugezëve e kishte vlerësuar maksimalisht sfidën, duke aktivizuar titullarët në këtë përballje, me Crisitano Ronaldon, që formoi së bashku me Coincecaon dhe Diogo Jota treshen përpara të sulmit. Portugalia vinte si favorite në këtë përballje, kjo për faktin se i kishte fituar të treja sfidat e mëparshme në grup, ndërkohë që e kundërta kishte ndodhur me Skocinë që nuk kishte grumbulluar ende asnjë pikë.

Sfida ishte e ekuiliburar në pjesën e parë me miqtë që u përpoqën të krijonin por hasin në vështirësi për të konkluduar. Edhe në pjesën e dytë iniciativa mbeti e Portugalisë, por sërish dukej se nuk ishte mbrëmja e tyre për të fituar këtë herë, pavarësisht se Martinez aktivizoi gjatë pjesës së dytë edhe lojtarë si Rafael Leao apo Bernardo Silva. Një pikë që gjithsesi vlen për Portugalinë, e cila ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke siguruar Play Offin, me dy ndeshje përpara fundit.

Ndërkohë gola dhe spektakël, në barazimin 3-3 mes Polonisë dhe Kroacisë, në sfidën tjetër të grupit A1. Ndeshja ishte nga ato me emocione të forta që të mbërthejnë deri në sekondat e fundit. Me vendasit që e nisën më mirë sfidën, teksa pas vetëm  5 minutash lojë Zielinski e dërgoi topin në rrjetë, me mesfushorin e Interit që realizoi golin e dytë rradhazi me kombëtaren. Megjithatë reagimi i skuadrës së Daliç ishte i menjëhershëm, teksa i mjaftuan 7 minuta lojë, për të shënuar plotë tri herë, me Sosën, Susiç dhe Baturinën, duke krijuar iluzionin se fitorja do të ishte e sigurtë për kroatët. Megjithatë vendasit nuk u dorëzuan teksa shkurtuan diferencën e golave me Zalewskin në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë.

Ndërkohë në pjesën e dytë polakët e rritën intensitetin e sulmeve drejt portës kundërshtare dhe gjetën barazimin me anë të Szymanskit, në mesin e fraksionit të dytë, pas asistit të Lewandovskit. Për kroatët situata u komplikua edhe më shumë pas largimit nga loja me karton të kuq çerek ore nga fundi të Livakoviç. Megjithatë sfida u mbyll në barazim, me Kroacinë që mban vendin e dytë në grup me 7 pikë, duke ruajtur avantazhin ndaj polakëve, që kanë 3 pikë më pak.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: