Udhëheqësit e NATO-s takohen sot në Uashingtonpër të diskutuar mbështetjen e aleancës për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Bisedimet pasojnë një ceremoni të mbajtur të martën për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të Luftës së Ftohtë.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë planin e sekretarit të përgjithshëm në largim të NATO-s, Jens Stoltenberg për t’i ofruar Kievit ndihmë ushtarake me vlerë 40 miliardë euro (43 miliardë dollarë) në vitin 2025.

Anëtarët e NATO-s e kanë mbështetur fuqishëm Ukrainën që nga pushtimi rus në shkurt 2022.

Sipas Stoltenberg, NATO duhet të bindë Rusinë se nuk mund ta fitojë luftën e saj kundër Ukrainës duke pritur që mbështetja perëndimore të zvogëlohet.

Por, zotimi prej 40 miliardë eurosh është dobësuar nga angazhimi financiar shumëvjeçar për Ukrainën që Stoltenberg fillimisht donte.

Aleanca do të rishikojë përsëri ndihmën ushtarake vitin e ardhshëm, duke e dobësuar më tej paketën.

Presidenti i SHBA Joe Biden hapi të martën samitin duke njoftuar se aleatët e NATO-s do të furnizojnë Ukrainën me sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po ashtu merr pjesë, shpreson se takimi i liderëve kombëtarë nga 32 vendet e NATO-s do të qartësojë perspektivat e Ukrainës për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes perëndimore.

Udhëheqja ukrainase shpreson gjithashtu të shohë një angazhim për mbështetje më të fortë ushtarake ndërsa forcat e saj kërkojnë të rimarrin pjesë të mëdha të vendit në lindje dhe jug, të cilat u aneksuan ilegalisht nga Rusia.

Që nga viti 2019, Ukraina i ka ambiciet e anëtarësimit në NATO të përfshira në kushtetutën e saj kombëtare. Por, të gjitha vendet aktuale të NATO-s duhet të bien dakord unanimisht përpara se kjo të ndodhë.

”SHBA dhe Gjermania janë kundërshtarët kryesorë të hyrjes së Ukrainës në NATO shumë shpejt”, thanë burime diplomatike brenda aleancës.

Një burim iu referua “opozitës së fortë” të SHBA-së dhe Gjermanisë ndaj ftesës së Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën pa përmbushur parakushtet e nevojshme.

Në një intervistë, Stoltenberg tha se shpreson që Ukraina të mund t’i bashkohet NATO-s brenda 10 viteve të ardhshme.

Një pjesë tjetër e planit të sekretarit të përgjithshëm për të bërë angazhime afatgjata të NATO-s ndaj Ukrainës është një projekt i ri mbështetës i quajtur ”Ndihma dhe Trajnimi për Sigurinë e NATO-s për Ukrainën” (NSATU), miratuar nga ministrat e mbrojtjes të NATO-s në qershor.

Projekti, me bazë në qytetin gjerman të Wiesbaden, do të ketë staf prej 700 zyrtarësh.

Më parë, vendet e NATO-s kanë koordinuar mbështetjen për Ukrainën përmes një grupi jozyrtar të udhëhequr nga SHBA-ja, i quajtur Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: