NATO ka krijuar një qendër të re komanduese detare në qytetin verior gjerman Rostock për të koordinuar operacionet e saj në Detin Baltik, transmeton Anadolu.

Duke folur në ceremoninë zyrtare të inaugurimit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Komanda e Task Forcës Baltike do të drejtojë operacionet detare të NATO-s në kohë paqeje, krize dhe lufte.

“Deti Baltik gjithmonë ka qenë në udhëkryqin e historisë së Evropës dhe është shumë më tepër se thjesht një rrugë ujore. Është një korridor jetik për tregtinë, lëvizshmërinë ushtarake dhe sigurinë energjetike. Është një zonë strategjike me rëndësi të madhe gjeopolitike dhe një vijë e parë në mbrojtjen tonë kolektive kundër kërcënimeve në zhvillim”, tha Pistorius.

Ai tha se rëndësia e Detit Baltik është rritur më tej pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Shtabi do të luajë një rol vendimtar në përgatitjen e raporteve të situatës ushtarake dhe në përgjigjen ndaj sfidave rajonale, përfshirë mbrojtjen e interesave të vendeve anëtare të NATO-s kundër veprimeve agresive, veçanërisht duke marrë parasysh afërsinë e Rusisë”, tha ministri gjerman.

Komanda e Task Forcës Baltike do të drejtohet nga një komandant gjerman dhe zëvendësit e tij do të jenë nga marina polake dhe suedeze. Në kohë paqeje, qendra do të përbëhet nga një personel prej 60 personash ushtarak nga vendet baltike dhe aleatë të tjerë të NATO-s në rast krize apo konflikti, numri i personelit do të rritet në 240.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë bëri të ditur se qendra do të ndihmojë integrimin e anëtarëve të ri të NATO-s, respektivisht Finlandën dhe Suedinë, do të rrisë ndër-veprueshmërinë midis aleatëve dhe do të sigurojë vendosjen e shpejtë të forcave kur është e nevojshme.

Qendra gjithashtu do të jetë përgjegjëse për planifikimin e stërvitjeve të përbashkëta me aleatët dhe vendet partnere.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: