Forcat e NATO-s do të mbeten në Kosovë në përputhje me mandatin e OKB-së, pavarësisht nga ndryshimet strukturore në Forcën e Sigurisë së Republikës (FSK). Kështu ka thënë kreu i komitetit ushtarak të Aleancës, Stuart Peach.

Ai ka thënë se kanë kaluar 19 vjet që NATO ka ndihmuar në sigurimin e një ambienti të sigurt dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe më tej.
Megjithatë, ai ka shtuar se siç edhe e ka bërë të qartë sekretari i përgjithshëm, NATO do ta shqyrtojë angazhimin e saj në raport me FSK-në nëse ndryshon mandati i saj.

“Në kuadër të misionit tonë në Kosovë ne vazhdojmë aktivitetin tonë në përputhje me mandatin e OKB-së që nuk ndikohet nga ndryshimet në forcat kosovare të sigurisë”, tha Peach për mediat në fund të një takimi të komitetit ushtarak, shkruajnë mediat e huaja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht deputetët kanë miratuar ligjet të cilat bëjnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

“Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO”, kishte deklaruar Stoltenberg.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se “ndërkohë që tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është në parim një çështje që Kosova të vendosë, ne kemi bërë të qartë se ky veprim është jo në kohë të duhur”.

“NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, kishte deklaruar tutje shefi i NATO-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: