Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Atlantikut të Veriut (NATO), Jens Stoltenberg përsëriti thirrjen ndaj autoriteteve ruse për të liruar anijet dhe marinarët e kapur të Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prag të fillimit të takimit dy ditorë të shefave të diplomacisë të vendeve anëtare të NATO-s, sekretari i organizatës Stoltenberg iu drejtua gazetarëve në Bruksel dhe e akuzoi Rusinë për provokimin e një destabilizimi të ri në rajon.

Ai tha se temat kryesore në takimin ministror do të jenë tensionet në marrëdhëniet ruso-ukrainase, marrëveshja bërthamore ruso-amerikane dhe situata në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Afganistan dhe Ballkanin Perëndimor.

Duke rikujtuar sulmin e fundit të forcave ruse dhe kapjen e anijes së bashku me ekuipazhin e marinës ukrainase në Detin Azov, Stoltenberg tha se kjo ishte një shembull i qartë i përpjekjeve për destabilizimin e rajonit.

“NATO i bën thirrje Rusisë që urgjentisht të lirojë anijet dhe marinarët ukrainas”, tha Stoltenberg.

Ai i bëri thirrje Rusisë të respektojë marrëveshjen bërthamore të INF-së dhe shprehu shqetësim rreth zhvillimit të sistemeve raketore me rreze të mesme nga ana e Rusisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb