Analisti Shpëtim Nazarko, i ftuar në emisionin “Real Story”, në “News 24”, tha se Turqia është një shtet i rëndësishëm e me të vërtetë një valvul për Evropën.
Teksa po diskutonte për vizitën e Erdogan në vendin tonë, ai tha se Turqia është një vend me arkivë të madhe, e një nga diplomacitë më të mëdha të botës. Ai shtoi se shtete si Franca e Gjermania do i tremben shtetit turk.
“Franca do e ketë frikë tërë kohën, por edhe vetë Gjermania. Ne kemi parë krizën e refugjatëve ku Turqia për hesape të veta ka qenë një valvul. Ne kemi krizën në Ukrainë, e prapë aty luan rol Turqia. Kemi të bëjmë me një vend të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Turqia ka qenë një Perandori 500 vjeçare e ka një nga diplomacitë më të mëdha në botë. Ajo ka arkivat plot dhe pozicionin gjeostrategjik ndër më të mirat në botë. Me Turqinë në këtë sens, do të vijë Guleni apo alieni, unë i iki këtij debati”, tha Nazarko.
Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja tha se e sheh si shqetësim ngjashmërinë që ka Shqipëria me Turqinë sa i takon autoritarizmit politik. Ai tha më tej, se nuk duhet harruar dhe shteti fqinj, Greqia, e raportet jo fort të mira që Turqia ka me të.
“Nga ajo që e shohim vetë Shqipërinë, ka një ngjashmëri me Turqinë dhe është mungesa e standardeve Evropiane. Turqia është bllokuar për rritjen e autoritarizmit të Erdoganit. Edhe numri i myslimaneve është një faktor. Evropës i ka interesuar të ketë një vend demokratik mysliman. Këtu ka qenë e ndarë e majta me të djathtën.
Konservatorët kanë qenë më shumë që të mos futet Turqia. Evropa nuk bëhet dot pa Turqinë. Rama tha se kush mendon ashtu e kështu për Turqinë, por nuk duhet të harrojmë, që ne kemi një fqinj tjetër të rëndësishëm që është Greqia dhe raportet e Turqisë e Greqisë. Diplomacia është e rëndësishme. E dimë shumë mirë konfliktin ë kanë dy vendet. Gjëja është e komplikuar. Kur vjen puna për të gjykuar politikisht e disa vlera që duhet promovuar vendit tonë nuk duhet t’i referohemi Erdoganit”, tha Lubonja.
(BalkanWeb)