NBA nuk ndalet as në mbrëmjen e Krishtlindjeve. Sikundër tashmë është bërë traditë, “yjet” e NBA zbritën në parket duke dhuruar spektakël dhe emocione për të dashuruarit pas koshit.
Kampionët e Boston ngecin sërish, teksa kësaj radhe ata u mundën 118-114 në fushën e tyre nga Philadelphia, ndeshje me rivalitet dhe shumë emocione. Maxey me 33 pikë e Embiid me 27 pikë ishin më të mirë për Philadelphia, duke i bërë të pavlefshme 32 pikët e Tatum për Celtics.
Ndeshja më e fortë dhe më emocionuese e mbrëmje ishte ajo mes Golden State Warriors dhe Los Angeles Lakers. Fitore në sekondat e fundit për Lakers, që mundën 115-113 Golden State jashtë fushe. Një godtije për tre pikë e Curry në sekondat e fundit e çoi ndeshjen në barazim 113-113, por atëherë kur u mendua se përballja do të kalonte në Overtime, ishte Reaves që me një shpërthim në sekondat e fundit depërton në zonë dhe me nje Lay Up i dhuron fitoren miqve. LeBron James me 31 pikë e 10 asist ishte lider për Lakers, mbështetur nga Reaves me 26 pikë. Curry realizoi 38 pikë për Warriors, por që mbetën për statistikë.
Skuadra e Phoenix mundi 110-100 Denver, sfidë ku diferencën në fushë e bëri dyshja Durant-Beal, që realizuan nga 27 pikë secili.
Minnesota, falë 26 pikëve të Edwards mundi 105-99 Dallas, ndërsa New York triumfoi 117-114 ndaj San Antonio (Bridges 41 pikë).