TIRANE – Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur i humorit shqiptar, Met Bega. Lajmi është bërë i ditur nga e bija e aktorit, Matilda Bega. Mësohet se Bega ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare për shkak të sëmundjes së Parkinsonit.

Simptomat e para të kësaj sëmundje aktori i mirënjohur i ndjehu në vitin 2010, por me kalimin e viteve gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej. Met Bega e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Estradën e Tiranës. Aktori lindi në Tiranë, ndërsa u nderua me shumë çmime. Homazhet në nderim të aktorit të ndjerë do të mbahen nesër në orën 11:00-13:00 në ambientet e Muzeut Kombëtar.

Ja filmat ku ka marrë pjesë aktori Met Bega
-Edhe ashtu edhe kështu 1989
-Stolat në park 1988
-Tela për violinë 1987
-Dy herë mat 1986

Apeli i fundit në NEWS 24 për aktorin Met Bega
“Epilogu” i trishtë i një jete artisti. Nën këtë titull, emisioni “Njerëz në fokus” i gazetares Ola Bruko solli në vëmendje jetën e artistëve të mëdhenj të skenës shqiptare, të cilët kanë shënjuar në zemrat e shqiptarëve, por jetojnë të zhytur mes vështirësive në harresën e atyre që duhet t’i kthejnë sytë tek ata dhe tu shtrijnë dorën. Mes të ftuarve në emisionin e “News24” ishte edhe vajza e artistit Met Bega, e cila rrëfeu vështirësitë me të cilat përballej i ati, i cili vuante prej 10 vjetësh nga sëmundja e parkinsonit. Matilda Bega deklaroi se askush nuk u interesua dhe nuk ka pyetur për babain e saj, por edhe kur ai ka trokitur vetë në dyert e institucioneve nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Askush nuk ka pyetur për babain. Madje kanë arritur në ekstrem, nuk i jepnin as pensionin minimal që i takon, 20 mijë lekë. Është dashur ndërhyrja e Fiks Fare, u sensibilizuan se Met Begën e kishin lënë pa pension. Merr disa ilaçe shumë të shtrenjta. Babi është i paralizuar, është në krevat prej më shumë se 2 muajsh. Ilaçet afërisht 300 mijë lekë të vjetra, plus një grua që kujdeset për të. Askush nuk ka telefonuar kurrë. Të vetmit që kanë telefonuar janë biznesmenët, apo njerëz nga jashtë vendit. Shteti shqiptar besoj nuk e di është gjallë apo jo, Ndërkohë që njerëzit e dinë. Është e turpshme të paguhet 20 mijë lekë në muaj. Të gjitha shpenzimet përballohen nga vëllai, që jeton jashtë. Falë zotit është ai. Babi ka shkuar kudo, në presidencë, në parti, në Ministrinë e Kulturës, në zyrën e kryeministrit paraardhës.”- u shpreh vajza e artistit Met Bega.

“Gjej rastin ti bëj thirrje ministres së Kulturës për ndihmë. Ai tashmë është drejt fundit, sëmundja përparon shumë shpejt dhe ai ka nevojë për ndihmë. Megjithatë di të them që shpresë nuk kam. Ministrja mund të bëjë një kërkesë për një pension të veçantë.”- deklaroi Matilda Bega në muajin shkurt 2014-të.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: