TIRANE- Shuhet akademiku dhe historiani i shquar i Shqipërisë, Kristo Frashëri. Ditën e dielë më datën 31 janar 2016 në mbrëmje, nga një vdekje natyrale u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare Akademiku Prof.Dr.Kristo Frashëri.

Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella fëmijëve, familjarëve e të afërmve për humbjen e këtij personaliteti të shquar të historisë e të mbarë kulturës shqiptare.

Ceremonitë në nderim të tij do të mbahen ditën e mërkurë datë 3 shkurt 2016, nga ora 12.00-13.00 në Akademinë e Shkencave.
Edhe BalkanWeb shpreh ngushellime per humbjen e akademikut.

KRYEPARLAMENTARI ILIR META: RILINDASI MODERN! FALEMINDERIT PËR GJITHÇKA PROFESOR!
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir META mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut Kristo Frashëri:
Mësova se u ndërpre një jetë që ishte gati të kapërcente pragun e 100 viteve të stuhishëm; Një jetë që, edhe shekullit të trazuar që kemi lënë pas, edhe këtij shekulli që jetojmë, i dha deri në fund punë dhe aktivitet të vyer, i dha portretin e një Rilindasi modern dhe bashkëkohës.

Pinjoll i mençur me një mbiemër të merituar që i ka dhënë aq shumë vendit, intelektual i klasit të parë dhe Akademik i tëe njëjtit klas, Profesor Frashëri është pjestar i një brezi të jashtëzakonshëm shqiptarësh të rrallë e të mëdhenj.
Luftëtar me armë në dorë i Lufts së Dytë Botërore, që diti të zgjedhë frontin e duhur për lirinë e vendit, shkencëtari dhe humanist i shquar, Profesor Frashëri ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer me pesëshën e fjalës së tij të jashtëzakonshme.
Vepra e tij për historinë e Shqipërisë ka një vend të merituar dhe ai bën pjesë në gjithë atë plejadë njerëzish të veçantë që kanë shkruar për çfarë kemi lënë pas si popull e si komb.
Duke nisur me Gjergj Kastriotin e duke përfunduar me debate politike e historike të ditës, Profesor Frashëri, ky Rilindës modern i mendimit, ka dhënë fjalën dhe mendimin e tij të rëndë.
Duke shkruar për historinë e vjetër dhe të re të Shqipërisë, Profesor Frashëri ka bërë të mundur që ne shqiptarët të njohim më mirë vetveten, njëri-tjetrin, por dhe vendin që zemë në raport me popuj të tjerë.
Duke na bërë të njohur çfarë kemi qenë, ka ndihmuar të kuptojmë se çfarë do të bëhemi.
Mirënjohje pafund për Profesor Kristo Frashërin. Njerëzve të tillë të rrallë është pothuaj e pamundur t’u thuash ashtu siç e meritojnë, t’u thuash shqip e thjesht: faleminderit për gjithçka!

KRYETARI I BASHKISË SË TIRANËS, ERION VELIAJ: PROFESORI NA KUJTOI SE NUK KEMI ARDHUR NGA HIÇI
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kristo Frashërit, historiani dhe akademiku i njohur, të cilit pak kohë më parë i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi”. “Kristo Frashëri na kujtoi se s’kemi ardhur nga hiçi dhe se historinë duhet ta bëjmë me punë çdo ditë! Prehje në paqe!”, shkruan Veliaj në rrjetin social Twitter.

SHPËTIM IDRIZI: LAMTUMIRE PROFESOR KISHIM SHUME NEVOJE PER JU
Menjëherë pas lajmit të ndarjes nga jeta të Kristo Frashërit, ngushëllimi i parë vjen nga kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.
“Sot ndërroj jetë një njeri i madh i memories historike të Shqipërisë. Profesor Kristo ishte memoria e gjallë dhe e shkruar e kombit tonë. Lamtumirë Profesor kishim shumë nevojë për Ju, si një popull që shpesh na zë Amnezia, ti na kujtoje gjithmonë postulatin që historia përsëritet e s’duhet të harrojmë të shkuarën për të ndërtuar të ardhmen … një nga veprat e fundit që kisha privilegjin dhe nderin të nxirrje ishte ‘Historia e Camërisë’,-para disa muajsh . U prefsh ne paqe , Zoti të mëshiroftë, Ne të jemi mirënjohës Profesor!

KUSH ESHTE KRISTO FRASHERI, JETA DHE VEPRIMTARIA
Kristo Frashëri është djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Tole-Ogrenit dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli.

Prof.Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit.

Ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të kl. I (1961, 1984). Është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Publikime (Monografi, Vepra kolektive, Përmbledhje studimesh)

“Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014)
“Jeta e një historiani” (2014)
“Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014)
“Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik” (2013)
“Historia e Dibrës” (2012)
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012)
“Ismail Qemali – Album” (2012)
“E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit” (2010)
“Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009)
“Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009)
“Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)” (2009)
“Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008)
“Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë : (28 Nëntor 1912)” (2008)

“Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878 – 1941)” (2006)
“Identiteti kombëtar shqiptar” (2006)
“Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006)
“Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (2005)
“Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve “ (2005)
“Historia e Tiranës” (2004)
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (2002)
“Historia e popullit shqiptar” vëll. II, (2002), (bashkautor).
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878–1881” (1997)
“Histori e Shqipërisë” vëll. II. (bashkautor dhe bashkëredaktor), (1984)
“Abdyl Frashëri” (1984)
Bashkëautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974)
Autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë v. ‘70–‘80
“Histori e Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në v. 1960 (botuar në disa gjuhë të huaja (1964)
“Vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun (1958)
“Vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit (1954)
“Histori e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965), autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: