Është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare një ndër shkrimtarët më të mëdhenj italian të letërsisë bashkëkohore, Andrea Camilleri.

Ai ndodhej prej rreth një muaji në spitalin Santo Spirtio në Romë, pas një arresti kardiak, ndërsa raportohet se ka ndërruar jetë.

Me figurën e inspektorit Salvo Montalbano,Camilleri i ka bindur intelektualët dhe madje edhe lexuesit e “dobët” të lexojnë veprat e tij.

Për humbjen e tij ka shprehur ngushëllime edhe ambasada italiane në Tiranë, të cilin e cilëson si autor të madh bashkëkohor, një burrë që ka jetuar gjithmonë siç ka dashur.
“Andrea Camilleri, babai i Montalbano-s, ndërroi jetë sot në Romë në moshën 93-vjeçare. Autor i madh bashkëkohor, një burrë që ka jetuar gjithmonë siç ka dashur, që ka fituar bukën duke bërë atë që i pëlqente: të rrëfente histori.

“Nëse një personazh nuk është në gjendje të ngrihet nga faqja e shkruar dhe të ecë nëpër dhomë, atëherë sipas meje, ai personazh ende nuk është zgjidhur”. Rrugë të mbarë, mjeshtër!”, shkruan ambasada në “Facebook”.

Shkrimtair

Pak nga jeta dhe krijimtaria e tij

Andrea Camilleri lindi në Porto Empodokle (Agrigento) më 1925, dhe prej vitesh jetonte në Romë. Ai ka zhvilluar një karrier si regjisor dhe skenarist në teatër dhe në RAI, ku u shqua për eksperimentimin e teatrit absurd dhe, në moshë të vonë, por me shumë sukses, nisi një “jetë” të re si shkrimtar.

Nga romanet e tij të para, Ecuria e gjërave (1978), Një fije tymi (1980) etj.,  Camilleri do të kthehej në një emër të njohur në Itali dhe Evropë.

Camilleri është shkrimtari italian më i lexuar, me më shumë se 10 milion kopje të shitura. Nga krijimtaria e tij shumë e pasur përmendim: “Durimi i bretkosës”, ‘Pa titull”, “Hëna prej letre”, ‘Krahët e sfinksit”, “Delja dhe bariu”, “Djalli”, “I dashuruari”, “Novela e Antonelos nga Palermo”, “Pensioni Eva”, “Gruaja e bankierit”, “Tregime të Montalbanos” dhe “Një të shtunë me miqtë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb