Mesfushori i kombëtares, Kristjan Asllani doli në konferencë, para ndeshjes së parë kualifikuese të Botërorit, atë ndaj Anglisë.

Me Interin do të marrësh pjesë në Botërorin e Klubeve në Amerikë. Sa i sigurt je se do të shkosh vitin tjetër edhe në Botërorin e vërtetë me kombëtaren kuqezi?
Këtu jemi për kombëtaren, kemi një grup kualifikues të vështirë, të gjithë e dimë këtë. Tani po stërvitemi dhe jemi gati për ndeshjen e parë.

Me Interin keni luajtur 2 herë kundër ekipeve angleze. Cili është sekreti për t’i ndalur ato? 
Janë kundërshtarë shumë të fortë, sidomos në aspektin fizik. Anglezët kanë loijtarë shumë teknikë, i njohim shumë mirë. Besoj se nuk duhet të mendojmë shumë, por të luajmë me shpirt dhe zemër. Të mos shkojmë atje si turistë, si gjithmonë të hyjmë në fushë për fitore. E dimë që është e vështirë, por do të punojmë edhe këto 2-3 ditë për të bërë mirë.

Çfarë presim nga Asllani? 
Nuk e di çfarë prisni nga Asllani, këtu jam për të luajtur dhe dhënë gjithçka për kombëtaren. Jemi stërvitur ditën e djeshme, do të stërvitemi edhe ditët e ardhshme. Jemi të foksuar për këtë përballje.

Cila duhet të jetë qasja ndaj Anglisë?
Do të luajmë me shpirt dhe zemër. Anglia është një kundërshtar i fortë, e dimë se ata do të kenë edhe zotërimin e topit. Ne duhet të luftojmë fort, shkojmë atje për rezultat pozitiv.

Kemi vetëm humbje ndaj Anglisë…
Ndeshja fillon 0-0, ndaj do të japim gjithçka për të marrë rezultat pozitiv. Do të hyjmë në fushë vetëm për fitore.

A keni folur me shokët e klubit për këtë përballje? 
Në fakt të gjithë janë tallur me ne. Na thonë do të pësoni 5-6 gola dhe do të shkoni në shtëpi. Sidoqoftë, ne do të hyjmë në fushë për të luajtur fort. E dimë se Anglia do të na sulmojë, sepse ka lojtarë të shpejtë, por edhe ne nuk kemi asgjë për të humbur. Kjo kombëtare e jona ka shumë harmoni, grupi i lojtarëve është i mirë. Të gjithë duam të ikin në Botëror, do të luftojmë shumë për këtë objektiv.

A keni ndonjë mesazh për tifozët? 
I presim tifozët, na duhen për mbështetje. I falendërojmë tifozët që kanë ardhur me ne në Europian. Shpresoj të na mbështesin edhe në duelin me Andorrën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb