Vllaznia do të udhëtojë nesër drejt “Niko Dovanës” ku do të përballet me Teutën, në një sfidë tepër delikate, kjo për faktin se shkodranët vijnë pas disfatës javën e shkuar kur u mundën nga rivalët direkt për titull, kampionët në fuqi të Egantias, si dhe për faktin se edhe Teuta është në emergjencë për pikë, pas humbjes në Korçë. Në prag të kësaj sfide, trajneri i shkodranëve, Tomas Brdariç foli në konferencën e zakonshme për shtyp, lidhur me prag sfidën ndaj durrsakëve, teksa në fillim u ndal të fliste për zhgënjimin që pësoi pas humbjes ndaj rrogozhinasve:
“Është një ndeshje speciale nesër dhe duam të kthejmë ritmin siç ishim para ndeshjes me Egnatian. Ndaj rrogozhinasve luajtëm një ndeshje të balancuar, por vetëm rezultati zhgënjeu, Kemi analizuar ndeshjen dhe kam besim se nesër do të bëjmë më mirë.
Lidhur me kundërshtarin, Teutën, Brdariç kërkoi nga të tijët të jenë të kujdesshëm, pasi skuadra durrsake do të kërkojë pikë, për t’iu larguar zones së ftohtë:
“Çdo ndeshje është e fortë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, Teuta ndërroi trajnerin, Devolli është me eksperiencë, kanë lojtarë të shpejtë dhe interesantë. Të gjithë lojtarëve do tju vijë radha për të luajtur, nesër do të kemi ndryshime, jam i lumtur që Krymi është kthyer, Gruda tregoi që është shumë i rrezikshëm, kemi lojtarë me cilësi. Duhet të përmirësojmë disa gjëra, po shkojmë në drejtim të duhur dhe të rrimë me këmbë në tokë, të jemi sa më të kujdesshëm. Duam 3 pikët nesër.
Sfida mes Teutës dhe Vllaznisë do të luhet ditën e premte, në ora 16:30 në Niko Dovana të Durrësit.