Një stërvitje simultane për kapjen e personave në kërkim. Agresive, e shpejtë dhe e mirëorganizuar. Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe Drejtori i Departmentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj vizituan ambientet e Njësisë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim. Njësia u prezantua javën e kaluar në Poloni, me synim aderimin në Rrjetin ENFAST, që është rrjeti europian për kapjen e personave në kërkim.

“Jemi këtu së bashku me Drejtorin e Policisë Kriminale, në Njësinë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim. Është njësia më e re speciale pranë Policisë së Shtetit, për identifikimin, gjurmimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave më të rrezikshëm.
Kjo njësi përbëhet nga dy komponentë, komponenti i Inteligjencës, i cili ka për detyrë të mbledhë informacionin, ka një pikë kontakti 24 orë në 7 ditë të javës dhe bashkëpunon intensivisht me agjensitë homologe në nivel europian; si dhe Njësia Operative e cila funksionon në shërbim të Njësisë Inteligjente, për bërjen të mundur të ekzekutimit të urdhrave të arrestimit të personave më të rrezikshëm, qofshin këta në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar.
Janë shumë mirë të trajnuar dhe plotësojnë githë kushtet e parametrat e nevojshëm për të funksionuar si homologë të denjë të Njësive në vendet e Bashkimit Europian”, tha zv.ministri Lamallari.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb