Në intervistën e parë pas lirimin, ish deputeti demokrat Bardh Spahia shprehu vendosmërinë e tij për t’i shkuar deri në fund çështjes së ndalimit të padrejtë sipas tij, duke çuar në gjykatë personat përgjegjës, dhe këtë tha Spahia nuk e bën vetëm për vete, por për të gjithë protestuesit e mbështetësit demokratë, që siç u shpreh janë ndaluar në mënyrë të padrejtë.


“Do t’i shkoj kësaj çështje deri në fund, pastaj do të jenë organet kompetente që do të nxjerrin përgjegjësit të kujt kanë qenë. Këtë nuk e bëj për vete, e bëj më shumë edhe për ato qindra aktivistë të PD, mbështetës, protestues që janë ndaluar e mbajtur në mënyrë të padrejtë nga strukturat e rendit të influencuara e të drejtuara politikisht apo të përdorura politikisht nga kundërshtarët tanë.



Është e tmerrshme të shikosh se si qytetarë të thjeshtë, qytetarë të ndershëm të këtij vendi, janë ndaluar pa asnjë argument, janë burgosur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme sikur ne të ishim pjesë e një vendi diktatorial. Do të jenë avokatët që do të më sugjerojnë kërkesat tona, nëse do të ketë dëmshpërblim financiar, çdo e ardhur hipotetike nga këto do të jemi në gjendje ti adresojmë drejt bamirësisë. Nuk e inicioj këtë çështje për arsye personale, e inicioj për të treguar që Shqipëria nuk pranon rikthime të modeleve të viteve të errëta të viteve të diktaturës”, tha Spahia.

Ndër të tjera Spahia komentoi edhe deklaratën e deputetes Rudina Hajdari, e cila është shprehur se do të vendosë në dispozicion pagën e saj për të riparuar dëmet në shkollën “Shejnaze Juka’

“Unë nuk mendoj se aty ka nevojë për të bërë një dhuratë të tillë. Aty nuk ka pasur dëmtime të shkollës. Mesa kam informacion ato pak dëmtime që ka pasur i ka marr përsipër bashkia e Shkodrës, e cila është edhe pronare e atij institucioni. Unë mendoj se çdo shqiptar i ndershëm, për më tepër një intelektual, ka një detyrë shumë më madhore se sa të merret me mbulimin e shpenzimeve të papërfillshme aty. Ka detyrën e ngritjes së zërit për rrezikun që i kanoset demokracisë, zgjedhjeve e votës së qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Spahia.

(BalkanWeb)