POGRADEC- Policia kufitare në Qafë-Thanë ka ndaluar mbrëmjen e sotme një shtetas serb me, i cili po transportonte dy dronë në Shqipëri. Shtetasi serb, identitetit i të cilit nuk bëhet i ditur ka deklaruar në Pikën Kufitare se në çantën e tij kishte dy dronë dhe se ato ishin porositur nga një firmë private në qendër të Tiranës.


Sipas Kreut të Doganës së Qafë-­Thanës, Olsi Ikonomi, serbi i ka kryer procedurat konform rregullave. “Shtetasi serb vinte nga Maqedonia për në Shqipëri dhe konform rregullave dhe procedurave ka deklaruar se në automjetin e tij kishte dy dronë. Ata ishin porositur nga një shoqëri private në Tiranë dhe konform rregullave, zhdoganimi i tyre do të kryhet atje”, tha Ikonomi.


Ngjarja vjen vetëm 3 javë para ndeshjes së Kombëtares shqiptare me atë serbe, e përfolur shumë për shkak edhe të incidentit të ndodhur në ndeshjen e parë në Beograd, ku shqiptari Ismail Morina ngriti me dron një flamur dhe më pas pati dhunë ndaj futbollistëve shqiptarë. Pikërisht për shkak të dhunës, ndeshja u ndërpre, ndërsa Shqipëria ndërmori një “luftë” të madhe për të fituar 3 pikët në tavolinë. Pas shumë muajsh, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi t’i japë 3 pikët Shqipërisë. Në këtë ndeshje nuk do të ketë tifozë serbë.


(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: