TIRANË
Ndalohet në Spitalin e Traumës i plagosuri Vinçens Piroli. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat, e cila raporton se ndaj 34-vjeçarit Piroli ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se në korrik të 2021 së bashku me Dorian Lalën ekzekutuan në Ulqin Momcilo Gjurishic.
34-vjeçari i plagosur mbrëmjen e kaluar në Shkodër nuk ka folur dot për policinë, për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore. I plagosuri ka pasur një komunikim vetëm me bluzat e bardha në Lezhë, ku i ka thënë se ka qenë duke lëvizur në këmbë në zonën e Urës se Bunës në Shkodër, kur dikush është afruar dhe e ka qëlluar.
Nga frika se atentatorët do ta ndiqnin, ai nuk shkoi në Spitalin e Shkodrës, por kërkoi ndihmë në atë të Lezhës. Nisur nga kjo, policia ka ushtruar kontrolle në zonën e përmendur, por nuk ka gjetur gëzhoja dhe as raportime për të shtëna me armë.
Ndërkohë, po punohet me kamerat për të identifikuar personin që shoqëroi 34-vjeçarin në spital.
(BalkanWeb)