Ndarja nga jeta e Hirësisë së tij, Imzot Ignati, në moshën 89-vjeçare, ka hidhëruar komunitetin e krishterë beratas dhe jo vetëm. Fjetja e tij me zotin u prit me hidhërim të madh nga Mitropolia e Beratit, ku Imzot Ignati shërbente si Mitropolit prej 26-vjetësh.

Pas lajmit të hidhur, ka reaguar Mitropolia e Beratit, duke shprehur dhimbjen e madhe për ndarjen e tij nga jeta.

At Johan Qako,ka folur nga Katedralja e “Shën Dhimitrimit” në Berat,duke shprehur vlerësim për jetën e tij,që karakterizohej vetëm nga përkushtimi ndaj Kishës.

“Më 20 korrik 2024 ndërroi jetë, me shpresën e ngjalljes dhe jetën e pasosur,Mitropoli i Beratit,Vlorës dhe Kaninës,Imzot Ignati.Ky ishte një lajm i trishtuar për ne njerëzit,pasi u largua Kryebariu ynë,por qielli u pasurua me një shenjtor,me një person që gjatë gjithë jetës së tij jetoi për zotin dhe për të gjithë personat që kishin nevojë.

Këtu me nesh ndenjti 26-vjet, si Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, qëndroi pranë besimtarëve po jo vetëm. Ai qëndroi pas çdo personi që kishte nevojë,pranë çdo personi që ishte i varfër, pranë çdo nevojtari, themeloi një mensë për të gjithë ata që ishin në pamundësi ekonomike për tu ushqyer, qëndroi pranë shumë familjeve të varfëra, pa dallim feje.

Zemra e tij ishte aq e madhe sa pranonte çdokënd që vinte dhe i kërkonte ndihmë, po patjetër ishte një pasuri e madhe,që qyteti i Beratit me një traditë 2000-vjeçare krishtërimi, erdhi dhe u pasurua me një Mitropolit i cili vinte me një bagazh shumë të madh shpirtëror, teologjik dhe që i dha shumë qytetit tonë dhe Mitropolisë tonë, për mbarëvajtjen e duhur dhe të saktë dhe ne sot kemi lart në qiell një person që do vazhdojë të kujdeset me hirin e tij dhe me dashurinë e tij.Ai la pas një shembull shenjtërie, një shembull përkushtimi,një shembull dashurie.Ajo gjë që do të mbahet mend dhe që do të jetojë gjithmonë mes nesh është shembulli i tij i dashurisë dhe përkushtimit që la dhe që do të jetë në përjetësi”, u shpreh At Johan Qako.

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati ndërroi jetë dje në moshën 89-vjeçare në një spital në qytetin e Athinës në Greqi, pas një sëmundjeje 3-vjeçare. Varrimi i tij do të kryhet në Katedralen e “Shën Dhimitrit” në Mitropolinë e Beratit, ditën e martë, më 23 korrik 2024.

Jeta e Imzot Igantit

Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati (Trianti), ishte arvanitas, me origjinë nga Thiva, ku lindi më 1934. Ai zotëronte mjaft mirë gjuhën shqipe, kishte studiuar në Shkollën Kishtare “Patmiadha”, në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës dhe në Konservatorin e Pireut.

Pas përfundimit të studimeve, ai shërbeu si predikues dhe mësimdhënës laik në Kryepiskopatën e Shenjtë të Athinës dhe në vitin 1967 u dorëzua dhjak dhe prift nga Mitropoliti i Thivës dhe Livadhjasë. Ai shërbeu si meshtar në Kishën Katedrale dhe si Epitrop Arkihieratik i Thivës në vitet 1967-1972, si igumen i Manastirit të shenjtë “Oshënar Llukai” të Livadhiasë në vitet 1968-1976, si igumen i Manastirit “Oshënar Serafimi” të Dhomvus në vitet 1975-1996, si predikues në vitet 1972-1992 dhe si Atë shpirtëror i kësaj Mitropolie në vitet 1962-1996. Në qershor të vitit 1992, imzot Ignati u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ekumenike “Mitropolit i Beratit,Vlorës dhe Kaninës”. Imzot Ignati u dorëzua episkop më 27 qershor 1996 dhe u fronëzua nga Kryepiskopi, Fortlumturia e Tij Anastasi,më 18 korrik 1998 në Berat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb