TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka shprehur sot ngushëllimet ambasadorit gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann, për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Richard von Weizsaecker. Meta ka qenë në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë ku ka nënshkruar një mesazh në Librin e Ngushëllimeve, ndërsa u shpreh për mediat se vlerëson kontributin e ish-Presidentit Richard von Weizsaecker për Europën e Bashkuar dhe për afrimin e Shqipërisë me Europën dhe me Gjermaninë.

“Ishte një detyrim për mua për të shprehur në librin e ngushëllimeve këtu në Ambasadën e Gjermanisë mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për kontributin që Presidenti i ndjerë Richard von Weizsaecker, ka dhënë jo vetëm për përparimin e vendit të tij, Gjermanisë, por edhe për Europën e Bashkuar dhe natyrisht edhe për afrimin e Shqipërisë me Europën dhe me Gjermaninë. Kam patur kënaqësinë që ta njoh edhe nga afër, kur kemi qenë së bashku për një periudhë të caktuar në Komisionin Ndërkombëtar për Ballkanin, që drejtohej nga kryeministri Giuliano Amato. Kam qenë gjithmonë i prekur nga dimensioni i tij i jashtëzakonshëm njerëzor, por edhe nga vëmendja e tij për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë në mënyrë të veçantë”, theksoi Meta.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb