Sot, e diel, 16 mars, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të njoftojë se kush do të jetë kryepeshkopi i ri në Shqipëri. Sinodi i Shenjtë i Kishës ka bërë të ditur se zgjedhja do të bëhet pas Liturgjisë Hyjnore të Dielës së Dytë të Kreshmës.

Procesi do të fillojë me meshën e së dielës, ku do të marrin pjesë besimtarët, drejtuesit e mitropoliteve ortodokse të Shqipërisë dhe të ftuar të tjerë. Të gjithë anëtarët e Sinodit do të jenë të pranishëm në meshë, dhe do të betohen në tryezën e shenjtë, se do të votojnë njeriun më të denjë dhe më të përgjegjshëm mes tyre.

Pas përfundimit të meshës, procesi i zgjedhjes do të nisë, dhe sapo të mbarojë votimi, do të shpallet emri i Kryepeshkopit të ri. Ky i fundit do të pritet me një ceremoni të veçantë dhe do të hyjë në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, do të bien në nder të këtij momenti historik.

Më pas, Kryepeshkopi i ri do të mbajë një mesazh para besimtarëve. Ai do të pasojë në këtë detyrë të lartë Kryepeshkopin Anastas, i cili ndërroi jetë në janar të këtij viti.

Në testamentin e tij, Anastas shprehu dëshirën që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të ketë një klerik shqiptar në krye. Hirësia e tij, Joani, është pretendenti kryesor për këtë post, pasi Sinodi e zgjodhi atë si mbikëqyrës të fronit menjëherë pas vdekjes së Anastasit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb