TIRANE- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi teksa vlerësoi kontributin e ish-ministrit të Mbrojtjes Luan Hajdaraga, theksoi se ai ishte njeriu që i dha tjetër frymë Partisë Socialiste.

Nga jashtë ambienteve të Kuvendit, ku po mbahen homazhet në nder të Hajdaragës, Kryemadhi ndau me gazetarët përshtypjet e saj për figurën e këtij politikani, që u nda dje nga jeta në moshën 69-vjeçare.

“Është një nga personazhet më interesante në PS. Në çdo moment më ka inkurajuar. Ka qenë një nga njerëzit që ka inkurajuar të rinjtë e PS në atë kohë për të qenë ata që ishin, për të krijuar një strukturë të PS. Edhe me shaka ai thoshte; unë e ndryshova PS. Nuk dinin të hynin as në kafenenë e Hotel Dajtit. Ai me mentalitetin e tij të hapur solli një ndryshim, dhe në atë kohë solli mentalitet të ri. Kjo ikje e tij e parakohshme është e dhimbshme për familjen, por edhe për ne, pasi do të na mungojë Luani për zgjuarsinë dhe çiltërsinë e tij. Të mos harrojmë që në vitet 96-96 koha e katarsisit në PS dhe më pas në proceset që kaluan pas 97, Hajdaraga ishte një nga ata njerëz që vendosi standardit e të mos pasurit të komplekseve. Ai kishte ato vlera që klasës politike shqiptare po i largohen”, tha Kryemadhi, ndërsa shfaqej tejet e prekur nga humbja e mikut dhe kolegut të saj.

Një mesazh ngushëllimi për Luan Hajdaragën, ajo e bëri edhe më herët në Facebook. Ajo e kujton si një mik, bashkëpunëtor e mentor të mirë Luanin teksa shprehet se “edhe pse rrugët tona politike u ndanë, ti asnjëherë nuk ndalove duke më motivuar”.

“Nuk do të të harroj Luan Hajdaraga, edhe sepse duam apo s’duam ti ndikove në ndryshimin e Partisë Socialiste në atë kohë kur ajo kishte frikë të ndryshonte” shkruan Kryemadhi.

Postimi i plotë

Nuk ka lamtumirë për ty miku im Luan!

Një njeri dhe qytetar i mirë si ty mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.

Ne ishim miq dhe bashkëpunëtorë të mirë. Edhe pse rrugët tona politike u ndanë, ti asnjëherë nuk ndalove duke më motivuar. Sa herë takoheshim i dëgjoja me ëndje këshillat e tua, mbrujtur në mirësi. Kurrë se kam kuptuar nga të buronte gjithë ajo mirësi, por sot që nuk je fizikisht pranë nesh e kam të qartë që është nga gjërat që do të na mungojë më shumë.

Nuk do të të harroj Luan Hajdaraga, edhe sepse duam apo s’duam ti ndikove në ndryshimin e Partisë Socialiste në atë kohë kur ajo kishte frikë të ndryshonte. Ti përkrahe të rinj e të reja në ato vite që sot kanë bërë emrin e tyre. I përkrahe duke iu treguar që të jesh vetvetja është më e suksesshme se të jesh servil.

Të duam LAKE e do na mungosh prof. Luan Hajdaraga.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb