Me siguri është një dhuratë që çdo çift do ta ëndërronte. Është bërë e udhës, në fakt, mes çifteve të njohura të showbiz-it (aty ku të paktën njëri është këngëtar) që surpriza për partnerin të jetë një këngë e re (që jo domosdoshmërisht është e suksesshme), por në rastin e fundit, kur nga çifti asnjë nuk është këngëtar, kënga dhuratë erdhi nga dikush tjetër. Dhe kur dedikimi ka dalë nga furra e Flori Mumajesit, me siguri, pritet të jetë jo vetëm ndër kujtimet më të bukura të jetës së çiftit, por edhe ndër krijimet më të bukura të kantautorit.
Mes shumë detajeve të zbuluara nga dasma, revista “Who” ka mësuar se një nga momentet më të bukura të ceremonisë së djeshme në Toskanë ishte kur Flori Mumajesi u dhuroi Arbanës dhe Edit një këngë, të shkruar enkas për ta.
Këngën e kënduan të tre djemtë e “Three Dots”; Flori, Bruno dhe Klajdi dhe ky ishte një moment që e ka emocionuar si Arbanën, ashtu edhe Edin. Pjesë e këngës ishte bërë edhe zëri i Arbanës dhe Jonit. Me siguri, ditët e ardhshme, kënda do të bëhet publike, por do të mbetet përjetësisht një kujtim i paharruar në jetën e çiftit.