Djali i madh i presidentit Donald Trump publikoi të martën një shkëmbim e-mailesh, nga të cilët del se ai kishte biseduar rreth planeve për të dëgjuar informacione që dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Në e-maile, dhënia e këtyre informacioneve përshkruhet si pjesë e mbështetjes së “Rusisë dhe të qeverisë së saj për zotin Trump”.

Këto e-maile janë prova e parë dokumentare që tregojnë se një bashkëpunëtor i lartë i zotit Trump ishte angazhuar me vetëdije me atë që besohej se ishte një përpjekje e qeverisë ruse për të ndihmuar kandidatin Trump në zgjedhje, shkruan VOA.

Në njërin nga e-mailet dërguar djalit të zotit Trump, Don Trump Jr., një publicist me emrin Rob Goldstone përpiqet të rregullojë një takim me një avokate, të cilën ai e përshkruan si “avokate të qeverisë ruse”.

Zoti Trump Jr. ishte mjaft i angazhuar në fushatën presidenciale të babait të tij.
Ai i publikoi e-mailet të martën në Twitter dhe lëshoi një deklaratë, ku thoshte se po e bënte këtë për të qenë “tërësisht transparent”.

E-mailet me publicistin Rob Goldstone tregojnë se zotit Trump Jr. i ishte thënë se qeveria ruse kishte informacione që mund të “inkriminonin” zonjën Clinton dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Goldstone i shkruante zotit Trump Jr. se informacioni që do të merrte “do të ishte shumë i dobishëm” për të atin e tij, kandidatin Trump. Goldstone po punonte për ta lidhur zotin Trump Jr. me avokatin rus Natalia Veselnitskaya, e cila më vonë u takua me zotin Trump Jr. në Nju Jork, në Kullën Trump. Veselnitskaya mohon se ka punuar ndonjëherë për qeverinë ruse.

“Nëse kjo është e vërtetë, e dua këtë informacion, sidomos më vonë gjatë verës”, iu përgjigj publicistit Goldstone zoti Trump Jr. në një nga e-mailet, që zoti Trump postoi të martën në Twitter. Mesazhet datojnë në fillim të qershorit 2016.

Të shtunën, Trump Jr. e përshkroi takimin me avokaten si një “takim të shkurtër fillestar”, i përqendruar te birësimet amerikane të fëmijëve rusë.

Një ditë më vonë, Trump Jr. e ndryshoi versionin e tij, duke pranuar se i ishte thënë paraprakisht se Veselnitskaja mund të kishte informacion “të dobishëm” për fushatën Trump dhe gjatë takimit iu tha se ajo kishte diçka për kandidaten Clinton.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb