TIRANE

Në studion e emisionit “Kjo Javë” kryeatarja e LSI Monika Kryemadhi foli për herë të parë për operacionin e vështirë të kryer jashtë vendit.

Kryemadhi zbuloi se vuante nga një virus në qafën mitrës, ndërhyrje të cilën mjekët ia kërkuan të kryhej menjëherë.

“Ndihem tani shumë mirë për hir të së vërtetës, falë mjekëve që ishin të jashtëzakonshëm. Por, dua t’iu bëj thirrje të gjithë vajzave të reja që edhe pse sot nuk janë në mundësitë e duhura, sepse shteti shqiptar ka ndërmend të paguajë Vil Manushin për koncesionet, por duhet të paguajë vaksinat për kancerin e qafës së mitrës për të gjitha vajzat shqiptare, sepse sot në Europë minimumi është zero vdekshmëria e grave për kancerin e qafës së mitrës, sepse shëndetësia nuk është të kurosh, por shëndetësia është të parandalosh.

Dhe një shëndetësi e cila është kthyer e gjitha në një koncesion, ku vidhen paratë dhe çdo gjë. Edhe boja që kanë pasur në zgjedhje shqiptarët ka qenë boja e një kompanie farmaceutike që bashkëpunon me Olgerta Manastirliun. Në qoftë se shëndetësia do të kthehet koncesion, për të vjedhur shqiptarët nëse një kimio-terapi për një të sëmurë iu ndahet 10 shqiptarëve dhe iu merren paratë sikur t’ua marrësh një kimio-terapi e plotë, kjo është jo vetëm fatkeqësi dhe abuzim, por edhe mëkat, që Zoti ta kthen.

Tani po të them diçka sa i takon shëndetit tim. Kalova një proces shumë të vështirë shëndetësor. Prej 5 vitesh e mbaja nën mbikëqyrje. Për hir të së vërtetës erdhi momenti, ku mjekët kërkuan një ndërhyrje të menjëhershme, sepse cdo zgjatje e saj do të ishte me kosto në të ardhmen. Ishte vështirë, sepse pati pastaj komplikacione pas ndërhyrjes, për shkak të rënies së imunitetit, E bëra jashtë vendit dhe të them të drejtën ishte sa një e treta e çmimit që bëhet në Shqipëri dhe garancia ishte shumë më e madhe. Për të qenë e sinqertë, më vjen zor ta them, pavarësisht se kam respektin më të madh për mjekët shqiptarë, i adhuroj, por mbi të gjitha i përkrah sepse mungesa që ata kanë në të gjithë infrastrukturën mjekësore ku s’ka ilaçe dhe mungesë aparaturash, i bie që ata të përplasen me revolën e qytetarëve.

Por në fakt urrejtja dhe degradimi i shërbimit shëndetësor vjen si shkak i koncesioneve, që Edi Rama ua ka dhënë oligarkëve të tij. Unë e kam ndjerë, unë kam bërë operacion në një spital shtetëror. Nuk kam paguar më shumë se 6500 euro, kur ndërkohë në Shqipëri po ta bëja do të shkonte mbi 20 mijë euro. Mjafton të pyesni shqiptarët që e kanë bërë një operacion të tillë. E them këtë për të kuptuar se në një vend të BE, në një vend të standardeve shumë më të larta merr një të tretën e çmimeve të Shqipërisë dhe shërbimin e kanë 10 herë më të lartë. Do dëshiroja që të gjithë socialistët të deklaronin edhe faturat e operacioneve plastike të grave të tyre dhe të vetes së tyre dhe nuk kanë nevojë të deklarojnë operacionet shëndetësore”, deklaroi Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb