Prej 2 muajsh një prej dy arterieve kryesore nga stacioni i trenit deri tek “Veliera” është përfshirë nga rikonstruksioni.

Më një fond prej 6 milionë euro investimi i Bankës Botërore është duke u shtruar rrjeti nëntokësor i kanalizimeve për shëtitoren bregdetare ndërsa ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Durrës po ndërhyn për pastrimin e kolektorit kryesor që mbledh ujërat e shiut duke nisur nga hyrja e portit në drejtim të lagjes nr. 4.

Në një interviste për News24 kreu i bashkisë Vangjush Dako deklaroi se janë dy projekte paralele i pari nis, në zonën nga “Brryli” në drejtim të stacionit të trenit dhe deri në hyrje të ish-Kënetës, me fondet e Bankës Botërore po kryhet investimi për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave te zeza dhe projekti i dytë pastrimi i kolektorit kryesor në rrugën Egnatia.

“Këto investime zgjidhin përfundimisht problemin e ndotjes së bregdetit dhe të përmbytjeve. Në Kolektorin e ndërtuar një shekull në parë nga Italia fashiste për ujërat e shiut ishin lidhur edhe tubat e shkarkimit të ujërave të zeza duke bërë qe të bllokohej në masën 90% e për pasojë të krijoheshin përmbytje masive në qendër të Durrësit”, deklaroi Dako. Në përfundim të kësaj ndërhyrje pritet që të eliminohen përmbytjet që ndodhin në stinën e dimrit. Ndërmarrja e ujësjellësit është duke punuar për te zhbllokuar kolektorin e ndërtuar një shekull me parë për ujërat e shiut por që në mënyrë të paligjshme ishin lidhur për tu shkarkuar në të edhe ujërat e zeza të ndërtimeve të ndryshme. Tubacioni ishte pastruar në vitin 1982 për herë të fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb