Disa dokumente të gjykatës amerikane kanë treguar se themeluesi i Wikileaks, Julian Assange është akuzuar për vepra penale nga prokurorët në një rast që mund të jetë i lidhur me hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.


The Washington Post dhe media tjera kanë raportuar më 16 nëntor se kjo gjë ishte bërë publike pas kërkesës së gjykatës amerikane në distriktin e Aleksandrisë, Virxhinia, në një rast që nuk ka qenë i lidhur me Assange.


Gazeta ka raportuar se asistent-avokati, Kellen Dwyer ka shkruar në dosje se “për shkak të të pandehurit dhe publicitetit lidhur me këtë rast, asnjë procedurë nuk ka mundësi të mbajë konfidencial faktin se Assange është akuzuar”.


Dwyer po ashtu ka thënë se akuzat “duhet të mbahen të mbyllura derisa Assange të arrestohet”, ka raportuar gazeta Post.

Prokurorët kanë pranuar se kërkesa është “bërë gabimisht” mirëpo nuk kanë komentuar më shumë për Assange, akuzat potenciale apo se për çka mund të jetë ngarkuar.
Wikilekas në anën tjetër ka shkruar në Twitter se prokurorët amerikanë kanë akuzuar Assange.

“Departamenti amerikan i Drejtëisisë ka prezantuar “aksidentalisht” ekzistencën e akuzave të mbyllura kundër Julian Assange si pasojë e asaj që është konsideruar gabim dhe në një rast të palidhur në Distriktin e Virxhinas”.

Assange, 45 vjeçar nga Australia mund të përballet me gjykim për prezantim të gati 500,000 dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane për luftërat në Afganistan dhe Irak.

Këshilltari Special, Robert Mueller po ashtu është duke hetuar Wikileaks për publikim të dhjetëra mijëra emailave të vjedhura nga Partia Demokratike në SHBA dhe kandidatja presidenciale më 2016, Hillary Clinton.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur vazhdimisht Wikileaks pasi janë publikuar emailat e hakuar.

Agjencitë amerikane të Inteligjencës kanë konkluduar se emailet janë hakuar nga grupe të lidhura me Qeverinë e Rusisë, në përpjekje për t’i ndihmuar fushatës së presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump.

Kremlini në anën tjetër ka mohuar çdo përfshirje. Më 2017, Mike Pompeo që atë kohë ishtë drejtor i CIA-së dhe tani Sekretar amerikan i Shtetit e pati përshkruar Wikileaks si shërbim “armiqësor” të inteligjencës të mbështetuar nga Rusia dhe Assange si “mashtrues”, shkruan rel.

Assange është i izoluar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër prej vitit 2012, pasi ai i ka ikur lirimit me kusht me qëllim të shmangies së ekstradimit në Suedi, për t’u përballur me sulme seksuale dhe pretendime për dhunime që kanë bërë dy gra kundër tij më 2010.

Prokurorët e Suedisë kanë hedhur poshtë këtë rast vitin e kaluar, mirëpo Assange është ende subjekt i fletarrestit britanik për shkelje të procedurave të lirimit me kusht më 2012.