UASHINGTON– Muajin e kaluar, agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), kanë ushtruar një kontroll në shtëpinë e Paul Manafort, ish-kreu i fushatës elektorale të presidentit Donald Trump, në kuadër të një hetimi lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale, njoftoi sot e përditshmja amerikane “Washington Post”.

”Agjentët e FBI-së kontrolluan shtëpinë e Manafortit në Virgjinia më 26 korrik, një ditë pasi ai ishte takuar jozyrtarisht me anëtarë të Komitetit të Shërbimeve Sekrete të Senatit dhe sekuestruan dokumente dhe materiale të tjera”, njoftoi gazeta duke cituar persona të angazhuar në hetimin në fjalë.

Manafort, një lobist i Uashingtonit, i cili kryesoi fushatën presidenciale të Trumpit nga qershori deri në gusht të vitit 2016, u pyet nga anëtarët e këtij komiteti lidhur me kontaktet e tij me Rusinë gjatë fushatës, ndërkohë që i ka dorëzuar disa dokumente një komisioni hetimor të Kongresit.

Manafort dha dorëheqjen si drejtues i fushatës presidenciale të Trumpit pas akuzave për marrjen e pagesave të majme nga qeveria e mëparshme proruse e Ukrainës.

Ai tani është në qendër të hetimit të Departamentit të Drejtësisë lidhur me ndërhyrjen e ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb