Skënder Gega ka zënë një vend të madh në zemrat e tifozëve të Partizanit, pasi ai ishte arkitekti dhe timoneri i një ekipi që një vit më parë luftonte për mesin e tabelës dhe sot, me pak ndërhyrje në organikë, arriti të fitonte titullin kampion pas 26 vitesh!

Ish-kapiten dhe kampion si lojtar me fanelën e kuqe, arriti të fusë në shina skuadrën dhe falë taktit dhe diplomacisë, u mori maksimumin lojtarëve të tij.

Por çfarë e shtyu trajnerin tropojan të japë dorëheqjen? Hipotezat janë të shumta. Ato pranë klubit dhe vetë trajneri mendohet se janë shprehur për problem familjare të Gegës, i cili e ka parë të udhës që të kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton prej gati dy dekadash.

Ndërsa zërat e tjerë, që mendohet se janë dhe më të besueshëm në këtë rast, flasin për një krisje të thellë me drejtuesit e Partizanit, krisje që nisi në janar, kur u përfol një largim i Gegës, për shkak të ndërhyrjeve në merkato. Më pas një dorëheqje e pritshme u përfol pas humbjes së fundit me Luftëtarin në kampionat, por asgjë nuk ndodhi dhe Gega u shpall kampion edhe si trajner me Partizanin e tij.

Natyrisht, në një situatë të tillë, ky lajm është si në një rrufe në qiell të hapur për të gjithë tifozët e Partizanit, të cilët ëndërronin një epokë të gjatë suksesi nën drejtimin e Gegës në stol. Por, natyrisht, me afrimin e merkatos dhe me nisjen e ndërhyrjeve, duket se diçka është krisur njëherë e përgjithmonë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb