Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka marrë sot titullin “Nderi i Shoqatës Tomorri” gjatë një ceremonie në Akademinë e Shkencave.

Baba Mondi falënderoi Këshillin drejtues të shoqatës për titullin siç e quajti ai domethënës dhe vlerësues për institucionin e Kryegjyshatës.

Më tej ai u shpreh se Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” në të gjithë veprimtaritë kulturore, promovon vlerat intelektuale, krahinore dhe të figurave patriotike. Baba Mondi e lidhi frymëzimin e shoqatës me shenjtërinë dhe hijeshinë e Malit mistik të Tomorrit aq shumë të dashur për trevat shqipfolëse dhe jo vetëm.

Baba Mondi
Baba Mondi

MESAZHI I PLOTË
Në emër të Zotit Mëshiruesit Mëshirëbërësit,
I nderuar Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Z. Engjëll Musai.
Të nderuar anëtarë të Këshillit drejtues organizativ të kësaj ceremonie nderi.
Jam i privilegjuar dhe i nderuar që sot gjendem mes jush, për këtë titull nderi kaq domethënës dhe vlerësues për institucionin që unë drejtoj tashmë për më shumë se 13 vite, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, por edhe për mua personalisht.
Kam kënaqësinë të nënvizoj se Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” në të gjithë veprimtaritë kulturore, promovon vlerat intelektuale, krahinore dhe të figurave patriotike, që janë në jetën tonë të përditshme, por edhe atyre që janë ndarë nga jeta, por që kanë dhënë kontribut në këtë shoqatë, apo janë krenaria e krahinës.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka qenë përherë një dashamirëse e veprimtarive dhe punëve me vlerë të Shoqatës dhe angazhohet për t’ju qenë në krah përherë në promovimin e këtyre vlerave tepër me rëndësi në kohët e vështira në të cilat po jetojmë.
Figura të shquara të shoqatës Tomorri si Xhevahir Spahiu, Nuri Cuni, Veli Hoxha, Idriz Metani dhe intelektualë që me shumë dashuri që prej themelimit të kësaj shoqate i kanë dhënë kombit shqiptar, kanë vënë një gur të rëndë themeli në këtë shoqatë patriotike të krahinës së Tomorrit të cilën me shumë dashamirësi frymëzimin tuaj do ta ndërlidhja me shenjtërinë dhe hijeshinë e Malit mistik të Tomorrit aq shumë të dashur për trevat shqipfolëse dhe jo vetëm. Abaz Ali dhe Ai Mal ju qoftë ndihmë në punët e mira që po bëni.
Falënderime për titullin e nderit që më akorduat sot dhe bekime paçi familjarisht!
Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: