TIRANE – Ndërkohë që partitë politike po shkojnë drejt përmbylljes së listave të kandidatëve për lokalet e 21 qershorit, ndërkombëtarët e akredituar në Tiranë, në kuadër të procesit të dekriminalizimit, janë duke kaluar në skaner çdo emër kandidati të zyrtarizuar deri më tani. Një burim diplomatik në kushte anonimati tha për top-Channel se ambasadorët më të rëndësishëm perëndimorë në Tiranë, gjatë takimeve publike dhe private, ia kanë bërë të qartë kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha, se nuk do të tolerohen kandidatë me të shkuar problematike. I njëjti burim thotë se, nëse liderët politikë nuk do të shmangin kandidatët problematikë, atëherë emrat e tyre do të kontesohen publikisht në kuadër të dekriminalizimit, i cili ka gjetur mbështetjen e diplomatëve perëndimorë.

Gjithashtu, të njëjtat burime thanë se një ambasadë e rëndësishme e një vendi partner i ka kërkuar një prej dy forcave më të mëdha politike në vend që të mos kandidojnë dy persona, njëri për një bashki në Shqipërinë e Mesme dhe tjetër për një bashki në veri. Të dy këta persona, njëri aktualisht në postin e kryetarit të bashkisë sikurse dhe tjetri, nuk janë pjesë e listës së kandidatëve të kësaj force politike. Dy javë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në një bashkëbisedim online me qytetarët tha se, “ne jemi duke parë procesin e nominimit me shumë kujdes”. “Atje ku ne shohim emra të personave që besojmë se mund të jenë të korruptuar ose të lidhur me aktivitete kriminale ua themi këtë krerëve të partive. Shqiptarët duhet të kenë pritshmëri të larta nga përfaqësuesit e tyre politikë dhe ata duhet të jenë të ndershëm kur ata besojnë se këta kandidatë janë kriminelë”, tha Lu. Ne besojmë se të gjithë kandidatët në zgjedhjet lokale duhet të përmbushin standardet më të larta etike, shtoi diplomati amerikan, ndaj asnjë prej tyre nuk duhet të ketë lidhje me çështje penale ose kriminale.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb