Luçiano Boçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” ka komentuar reagimet e ndërkombëtarëve lidhur me aksionin e opozitës, duke u ndalur te deputeti i CDU Krichbaum, por edhe te ambasadat në Shqipëri.

Boçi theksoi se CDU është një organizëm i gjerë dhe se Krichbaum mund të mos e njohë mirë realitetin në Shqipëri, duke rikujtuar një vizitë të tijën në vend, nga ku ka deklaruar se Lulzim Basha kishte fituar gjyqin për vulën e PD.

“CDU është një organizëm shumë i gjerë dhe ka përfaqësimin zyrtar. Ka qenë një person i CDU që e ka bërë këtë deklaratë. Ishte një deputet i CDU, i cili përfaqëson elektoratin e tij. Nuk ka ndonjë post të lartë. Gunther Krichbaum ishte personi që bëri një vizitë personale në Shqipëri, takoi Bashën dhe tha se ai ka fituar gjyqin për logon e PD. Nuk njihte realitetin. Unë kam frikë se ai nuk e njeh prapë realeitetin”, tha ai.

Ai ngriti shqetësimin për mos reagimin e ndërkombëtarëve për korrupsionin, përgjimet e SKY, kanabisin, dhe mungesën e reflektimit të rekomandimeve të OSBE për reformën zgjedhore.

“Ambasadat nuk duhet të heshtin për gjërat madhore në Shqipëri. Pse nuk flasin për korrupsionin, për përgjimet e SKY, për kanabisin, për arsimin, për mos reflektimin e rekomandimeve të OSBE në reformën zgjedhore? U dogjën ca karrige, duhet të merresh me shkakun, jo pasojën. Këtu shihet vetëm pasoja”, shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb