Florian Culhaj, pedagog dhe analist politik, ka folur në emisionin “Open” mbi planin e administratës së re të SHBA për të ndërprerë ndihmat financiare për vendet e huaja. Ai theksoi se kjo strategji tregon një ndryshim të qartë në qasjen e presidentit Trump ndaj politikës së jashtme, duke e përshkruar atë si një “logjikë biznesi”.
Culhaj shpjegoi se presidenti Trump po bën një bilanc të shtetit dhe po shqyrton me ftohtësi nevojën për të ndalur fondet e tepërta, duke u fokusuar në interesat e taksapaguesve amerikanë.
“SHBA duhet të pretendojë të mbajë statusin e saj si superfuqi, një status që është mbajtur deri më tani përmes shpenzimeve të konsiderueshme,” tha ai, duke paralajmëruar se tërheqja e fondeve do të krijojë një vakum pushteti që mund të plotësohet nga Rusia ose Kina.