Ndërron jetë në moshën 66-vjeçare ish-futbollisti Vasillaq Zëri. Ish-lojtari i Kombëtares vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka luajtur edhe me Shkëndijën dhe Dinamon. Në sajë të kontributit të tij, FSHF i kishte dhënë Zërit titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”.

Kujtojmë se Vasillaq Zëri është konsideruar si një nga lojtarët më të mirë sulmues që ka patur futbolli shqiptar.

Karrierë ai e  filloi në moshën të re për tri vite me “Shkëndijën” (1970-1973) dhe 21 vjeç titullar me Dinamon (73/74–83/84). Produkt i shkollës së parë të futbollit, i transferuar te Dinamo, Zëri është vlerësuar si një ndër futbollistët me një arsenal unik, shumë të madh teknik, aftësi të rralla dribluese, me veprime magjike në zona të ngushta. I paparashikueshëm, një lojë plot art e fantazi.

Përdorues i mirë i të dyja këmbëve, me një vizion periferik të admirueshëm, nuk ka lënë asnjë kundërshtar pa e dribluar. Një “Mesi” i vërtetë për kohën. Me numrin 9, ndaj Ajaksit në “Qemal Stafa”, ishte i pakapshëm duke i habitur holandezët, që në Amsterdam e pritën si një yll i ardhshëm i tyre.

Në Shkodër, ndaj Vllaznisë në një ndeshje kupe, takimi i dytë, ka shënuar golin më spektakolar në minutën e 119-të, kur dribloi disa kundërshtarë. Gjashtë takime luajti me Kombëtaren: të parin në Tiranë, në miqësoren me Algjerinë në vitin 1976 (3-0), me trajner Boriçin dhe dy të fundit ndaj Bullgarisë, në “Qemal Stafa” (0-2) me 14 tetor 1981 dhe, në Vjenë, në sfidën e 22 shtatorit 1982, Austri-Shqipëri 5-0, kur trajneri Rreli e hodhi në fushë për të zëvendësuar Agustin Kolën. Me Kolën, Muçën e Mingën ka qenë në kombëtaren e viteve ‘81-‘82.

Ajo që për të gjithë mbeti një ëndërr e parealizuar, ishte që nuk patën fatin të provonin e të luanin më skuadra jashtë Shqipërisë. Kush më shumë e kush më pak, në një fare mënyre kanë pasur oferta, ndonëse jo zyrtare. Por, dëshira e parealizuar e Zërit është unike: Nuk pati fatin të kishte president klubi, si këta që janë sot. Ishte koha kur mungonin dhe as që bëhej fjalë për premio, e pagesa të larta.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: